Kulturë Dua Lipa: Shumë krenare që kam pasaportë shqiptare

Dua Lipa: Shumë krenare që kam pasaportë shqiptare

Dua Lipa zotëron edhe nënshtetësinë shqiptare. Artistja e madhe është shtetasja më e re shqiptare. Tanimë, Dua Lipa ka pasaportën shqiptare dhe atë angleze.

Këngëtarja me famë ndërkombëtare, ka dalë në një konferencë për shtyp pak para nisjes së festivalit në sheshin “Skënderbej”, në kuadër të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Dua Lipa është shprehur shumë krenare që ka pasaportë shqiptare teksa ka thënë se është nder shumë i madh për të që përfaqëson gjithë Shqiptarinë.

Pyetje: Kisha dashur të pyes ne krenohemi me heronjtë tonë, por për mua dhe të ditëve të sotme jeni ju sepse e prezantoni Kosovën dhe Shqiptarinë në mënyrën më të mirë të mundshme. Edhe sa pasaporta ke moj motër (qesh)?

Dua Lipa: Në çantë e kam pasaportën. Jam shumë krenare që kam pasaportën shqiptare. Vetëm 2 pasaporta kam: Një të Shqipërisë dhe të Anglisë. Ndihem shumë e emocionuar dhe e shoh dhe është shumë e rëndësishme për mua dhe është një nder i madh të përfaqësoj vendin tim. Unë ndihem shumë me fat që jam nga një vend si ky dhe ne jemi shumë krenarë nga ku jemi dhe shumë është bukur të jem sot këtu.

Komentet e sekretares britanike për shqiptarët/ Dua Lipa: Fatkeqësi e madhe si shihemi në sytë e politikanëve

Dua Lipa është pyetur në lidhje me komentet e sekretares së Brendshme të Britanisë së Madhe, Suella Braverman ku i etiketonte shqiptarët si “kriminelë”. Artistja Dua është shprehur se është fatkeqësi e madhe si shqiptarët shihen në sytë e politikanëve dhe të njerëzve të tjerë.

Pyetje: Ju jemi imazhi më i suksesshëm që kemi në botë si shqiptare. Megjithatë si do ta komentonit diskutimin e shqiptarëve në mediat britanike, të cilësuar shpeshherë si kriminelë apo të cilësuar dhe nga sekretarja e brendshme që janë si pushtues?

Dua Lipa: Është një pyetje shumë e rëndësishme sepse është një fatkeqësi shumë e madhe si shihemi në sytë e politikanëve dhe të njerëzve të tjerë. Mendoj se janë fjalë të pakëndshme dhe kemi nevojë për të luftuar gjenofobinë kudo në botë jo vetëm për neve, por për të gjitha rastet kudo në botë. Është e vetmja gjë që mund të bëjmë me ndryshuar stigmën që kanë njerëzit ndaj shqiptarëve.

Gjatë fjalës së saj, Dua Lipa është shprehur se ndihet shumë e lumtur që ndodhet në Tiranë dhe përfundon turin e ‘Future Nostaligia’ në Tiranë për 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

“Si ndihesh që je vajza e babait më të kërkuar në internet?”

Ajo tha se është çika e babit, teksa e pyet se si ndihet që është vajza e babait më të kërkuar në internet.

“Nuk e mendoj fare, çika e babit ça më bo, por mos të harrojmë nënën”- u shpreh Dua Lipa.

Lipa tregoi se pas përfundimit të turneut do të vendoset në Londër, në shtëpinë e saj.

Ajo u shpreh se periudhë pushimi për të është kur fillon punën në studio për të shkruar këngë dhe për t’u bërë gati për albumin e tretë.