Gisèle Pelicot, francezja që ndodhet në gjyq me ish-bashkëshortin e saj që e drogoi dhe lejoi burra të tjerë të abuzonin me të për 10 vjet, ka dhënë dëshminë e saj nga podiumi i gjykatës.
Viktima e përdhunimit masiv, historia e së cilës ka tronditur botën, tha në një gjyq në Francën jugore se bërja publike e çështjes së saj duhet të ndihmonte të gratë e tjera dhe të ndryshojnë shoqërinë.
71-vjeçarja i tha gjykatës së Avignon se do që gratë e përdhunuara ta dinë se “nuk është turpi ynë, është i tyri”.
“Dua që të gjitha gratë që janë përdhunuar të thonë: Znj. Pelicot ia doli, edhe unë mundem. Nuk dua të kenë më turp”, tha ajo duke iu referuar faktit që ka kërkuar gjyq të hapur dhe shfaqjen e videove të përdhunimit.
Ajo shtoi se gjatë javëve të fundit kishte parë gra, nëna dhe motra të të pandehurve që hipnin në podium dhe thoshin se të akuzuarit ishin “burra të jashtëzakonshëm”.
“Njësoj si ai që kisha në shtëpi. Por një përdhunues nuk është thjesht dikush që takon në një parking të errët natën vonë. Ai mund të gjendet në familje gjithashtu, mes miqve”.
Pelicot u shpreh se është “tërësisht e shkatërruar” dhe duhet ta ringrejë veten. “Nuk e di nëse do të më mjaftojë jeta për ta kuptuar”.
Duke iu drejtuar ish-bashkëshortit si z. Pelicot, ajo tha: “Do të dëshiroja që të mund ta thërrisja ende Dominique. Ne jetuam bashkë për 50 vjet. Isha një grua e lumtur, e përmbushur. Ti ishe një bashkëshort i dashur, i përkujdesur dhe nuk dyshova kurrë te ti. Ne kemi qarë e qeshur bashkë”, i tha ajo me zërin që i dridhej.
Dominique ka pranuar se ai njihte burra online që i lejonte të përdhunonin bashkëshorten e tij që ishte nën efektin e qetësuesve të fortë dhe pilulave të gjumit që ia jepte fshehurazi. E gjitha ndodhi në harkun kohor 2010-2020.
Gisèle tha se ndihej fatlume që e kishte në krah kur vuante nga probleme shëndetësore që më vonë rezultuan të lidhura me ilaçet që ai i jepte.
“Po përpiqem të kuptoj sesi ky burrë, që për mua ishte i përsosur, mund ta ketë bërë këtë. Si mund të më ketë tradhtuar në këtë pikë? Si mund të lejoje të huaj në dhomën time? Dua t’i them: unë jam përpjekur të të ngre gjithnjë më lart, drejt dritës. Ti zgjodhe thellësitë më të errëta të natyrës njerëzore. Ti e bëre këtë zgjedhje”.
71-vjeçarja rrëfeu se Dominique gatuante shpesh për të dhe i jepte akullore pas darke e cila ishte metoda që ai përdorte për ta droguar: “I thosha ‘sa me fat jam, ti je një zemër, ti kujdesesh vërtet për mua’.”
Pelicot tha se nuk ndiente marramendje apo rrahje të shpeshta zemre dhe duhet t’i ketë humbur ndjenjat shpejt. Ajo zgjohej në shtratin e saj mëngjesin tjetër dhe ndihej e lodhur, por besonte se kjo ndodhte për shkak të shëtitjeve të gjata.
“Kisha probleme gjinekologjike dhe në disa mëngjese zgjohesha me ndjesinë sikur më kishin plasur ujërat. Shenjat ishin aty, por unë nuk dita kurrë t’i deshifroja”, tregoi ajo.
Pjesa më e madhe e të pandehurve që kanë përdhunuar Pelicot, thonë se s’mund të jenë fajtorë pasi nuk e dinin që ajo ishte pa ndjenja dhe ata “nuk ishin në dijeni” që po e përdhunonin.
Gjyqi është hapur që prej 2 shtatorit Pavarësisht seancave dëgjimore ditore që janë të gjata, ka mbërritur në gjysmën e tij dhe ka ende të pandehur që pritet të pyeten. Vendimi pritet të jepet në fund të dhjetorit.
Protestat janë organizuar në të gjithë Francën për të treguar mbështetje për Gisele Pelicot, me shumë gra që shprehën admirim për guximin e saj.