Florina dhe Engjëll Cani, nëna dhe babai i 14-vjeçarit që humbi jetën si pasojë e goditjes me thikë kanë dhënë një dëshmi tejet prekëse për emisionin “Opinion”.
Mes dhimbjes së madhe për humbjen e djalit, Florina dhe Engjëlli kanë rrëfyer si e mësuan lajmin e kobshëm të vdekjes së të birit.
Engjëll Cani: Unë e mora vesh rastësisht, po punoja në një hotel, më merr nusja në telefon dhe më thotë “merre mësuesin se ka shkuar në spital”. Mendoja se mund të ketë bërë ndonjë sherr të vogël, ose mund të ketë pasur ndonjë goditje ose diçka. Mora mësuesen dhe nuk më përgjigjej, mora përsëri dhe ika tek Spitali Ushtarak. Më thanë që djali juaj është në sallë të operacionit dhe është goditur vetëm një herë, ka mundësi të shpëtojë. Pas 1 orë ore, ose gjysëm ore nuk e di se kam qenë i tronditur, më thirrën doktorët dhe më thanë që nuk mundi të mbijetojë Martini, i kishte prekur zemrën.
Florina Cani: Më njoftoi mësuesja, më thanë se ka ndodhur një sherr. Nuk kishim dijeni.
Engjëll Cani: Ai ishte fëmijë që nuk bënte sherr me njeri. Ishte lider.
“Dua të bëhem si Ronaldo”
“Dua të bëhem si Ronaldo, do të bëhem i famshëm”, ka qenë kjo ëndrra më e madhe e 14-vjeçarit të vrarë në afërsi të shkollës “Fan Noli” në Tiranë nga bashkëmoshatari i tij.
Në një rrëfim shumë prekës, nëna dhe babai i 14-vjeçarit, Florina dhe Engjëll Cani kanë treguar se çfarë dëshironte të bëhej djali i tyre në të ardhmen.
Çfarë nxënësi ishte Martini në shkollë?
Engjëll Cani: Martini deri në klasë të 6 ka qenë gjithë 10. Ka qenë me fleta lavdërimi. Ai vazhdoi sportin…
Florina Cani: Donte të ndiqte ëndrrën e tij, thoshte “dua të bëhem si Ronaldo”.
Engjëll Cani: Thoshte “dua të bëhem si Ronaldo”.
Engjëll Cani: Mirë i thoshim ne. E dërgonim në stërvitje, e sillnim, rrinte me shokët.
Çfarë ëndrrash kishte Martini?
Engjëll Cani: Martini thoshte dua të bëhem si Ronaldo, do të bëhem i famshëm. Më thoshte “babi mos më ki merak, mua më njohin të gjithë”.