Kulturë Dua të harroj që jam shqiptar

Dua të harroj që jam shqiptar

Kliton Nesturi

Kur shoh përreth jetën tonë
Te mbushur përplot peversitete:
Kur vëllai vret vëllanë për një copë toke
kur fëmijët përzene prindërit nga shtëpia për pak metra katror më shumë,
Kur babai dhunon vajzën
Dhe kur nëna zë dashnor djalin,
Kur shoku gjuan për seks gruan e shokut,
E ku nuk ke besë se kujt mund t’i besosh,
Kur nuk ka më as fis dhe as farë,
As origjinë dhe as familje
Dua të harroj që jam shqiptar.

Kur çdo problem, qoftë edhe padrejtësia më e vogël
duhet të zgjidhet me rryshfet ose kërkesa seksuale,
Kur për çdo ditë fshatarët të mbushur me antivlera
Përpiqen të nënshtrojnë fisnikët
Kur batakçinjtë, hajdutët dhe kriminelët
Sundojnë edhe mbi dogma nacionaliste,
Kur masmedia mbushet me lajme dhe spektakle boshe,
Kur virtualiteti gris realitetin dhe kthehet ne makth
Kur thashethemet dhe intrigat vlejnë më shumë se çdo gjë,
Kur shoh shoqërinë që rend pa mend,
Mes historisë që shkërrmoqet
dhe të ardhmes që përdhoset,
Dua të harroj që jam shqiptar.