Kryeministri Edi Rama në konferencën për shtyp përkrah Rexhep Tajip Erdogan, ia tha në sy Presidentit turk se është Hamasi dhe terrori i ushtruar prej tyre, pika ku ndahen Tirana dhe Ankaraja sa i përket qëndrimit për konfliktin mes Izraelit dhe Gazës.
Shefi i qeverisë shqiptare u shpreh se Shqipëria është pro një armëpushimi që duhet të kushtëzohet me lirimin e pengjeve dhe zgjidhjes për paqe afatgjatë me dy shtete, duke pranuar se duhet të krijohet shteti i Palestinës.
“Në një pikë kemi një këndvështrim të ndryshëm, sepse duke qenë tërësisht të vendosur bashkë me Republikën e Turqisë dhe me shumë të tjerë, po flas për këtë marrëdhënie kundër terrorizimit, kundër terrorit. Për ne terrori në çdo formë dhe me çdo pamje që të shfaqet është i pa tolerueshëm. Ne jemi absolutisht dhe kemi votuar në Këshillin e Sigurimit për një armëpushim, që patjetër duhet të nënkuptojë dhe lirimin e menjëhershëm të të gjitha pengjeve, por për ne Hamasi dhe çdo burim tjetër i terrorit nuk ka vend në të ardhmen paqësore”, tha Rama.
Në vijim kryeministri deklaroi se ai dhe Erdogan ndajnë të njëjtin qëndrim për faktin se populli palestinez ka të drejtën të jetojë i lirë, duke pranuar se duhet të krijohet shteti i Palestinës.
“Sot përveç konfliktit të tmerrshëm në Ukrainë që po godet në mënyrë të pamëshirshme dhe krejtësisht të padrejtë një popull që është në të drejtën e vetë për të jetuar i lirë dhe për ta zgjedhur vetë se ku do të pozicionohet, edhe ajo që ndodh çdo ditë në Gaza është një tragjedi kolosale. Ne bashkë ndajmë me Presidentin Erdogan vlerësime të njëjta lidhur me agresionin rus në Ukrainë dhe lidhur me të drejtën e pamohueshme të popullit palestinez për të jetuar i lirë në shtetin e tij, por Hamasi dhe çdo burim tjetër i terrorit nuk ka vend në të ardhmen paqësore e që duhet të vendoset mbi dy shtete sovrane, Izraeli dhe Palestina, të cilat duhet të jetojnë të sigurta dhe askush nuk duhet të vërë në pikëpyetje të drejtën e ekzistencës së tyre”, u shpreh Rama.