Mazhoranca ka kërkuar që të shkarkohet Presidenti i Republikës, Ilir Meta, pas çdekretimit të zgjedhjeve të 30 Qershorit. Madje për këtë është ngritur dhe një komision hetimor. Mirëpo nëse ky i fundit largohet nga pozicioni i kreut të shtetit dhe rikthehet aktiv në politikë a mund ta rivalizojë liderin e opozitës Lulzim Bashën?
Ishte kjo pyetja e gazetarit Mustafa Nano, drejtuar kreut të PAA-së, Agron Duka, i cili ishte i ftuar këtë të premte në emisionin “Provokacija”. Ai tha se Basha do të vazhdojë të jetë lideri i opozitës për shkak se është kryetari i partisë më të madhe.
“Do ishte e mirë që pushtetet të ishin të balancuara. Ikja e Ilir Metës dhe marrja e të gjithë llojeve të pushteteve nga Edi Rama më shqetëson. Nuk më shqetëson se çfarë do bëhet nesër, kush do jetë i pari i kësaj pune, Basha apo Meta. Realisht Basha ka parti më të madhe se gjithë të tjerat kështu që në politikë imponohet, nuk është punë sensi. Kam përshtypjen që Basha do vazhdojë të jetë lideri i opozitës në Shqipëri sido që të ndodhë”, tha Duka.
Për sa i përket, çështjes së shkarkimit, duka tha se Presidenti Ilir Meta nuk mund të shkarkohet.
“Ata e kanë besoj, por nuk mendoj që mund të shkarkohet. Megjithatë ata kanë thirrur një opinion të komisionit të Venecias dhe vlerësoj që kjo varet nga opinioni që ata japin. Nga ajo që i unë, Presidenti mund të shkarkohet përveç të tjerave , në raste të shkeljes së rëndë të Kushtetutës. Pikëpyetja e madhe është: Është shkelje e rëndë kushtetutës apo jo. Këtë e vlerësojnë specialistë. Nuk besoj që do ishte e udhës që unë të jap një mendim me këtë lloj formimi që kam, ndërkohë që është thirrur një komision me specialistë nga më të mirët në botë që të japë mendimin përfundimtar këtë punë.
Nëse flas sipas përshtypjeve të mia mendoj që shtyrja e zgjedhjeve që një përpjekje e Presidentit për të çtensionuar situatën sepse në atë kohë ishin disa protesta të vazhdueshme të cilat në disa raste patën disa përshkallëzim”, tha Duka.