Atentati plot mistere ndaj automjetit të filozofit dhe ideologut rus, Alexandr Dugin, ku vdiq e bija Darya, ka tronditur opinionin publik rus, ndoshta edhe më shumë se lajmet që vijnë nga fronti ukrainas.
Jo vetëm sepse ngjarja ndodhi në Moskë, por sepse objekti ishte pikërisht një nga personat e cilësuara si nga ato më me influencë në Kremlin, edhe pse jo zyrtarisht.
Ndër to, Dugin cilësohet si nga më ekstremët. Lider dhe themelues në vitet ’90 të partisë nacional-bolshevike, praktikisht një parti e së majtës staliniane, por me simbolika të përafërta me nazi-fashizimin, Dugin prej vitesh mbante zyrtarisht postin e kreut të Sociologjisë në Universitetin e Moskës, por de facto edhe atë të këshilltarit të disa personazheve në zë të politikës ruse.
“Nuk ka të bëjë vetëm me denazifikimin e Ukrainës dhe mbrojtjen e Donbasit, jemi në luftë me Perëndimin, sepse ai është Antikrishti”, është një nga fjalitë e tij më të ashpra në mbrojtje të sulmit rus, për të cilën thuhet se u pezullua nga posti universitar.
Por “profesorët” nga të cilët Putin thuhet se merr drejtimin e tij strategjik janë të shumtë. Duke filluar nga Sergey Karaganov, dekan i fakultetit të Ekonomisë dhe të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në universitetin e Moskës. Vizioni i tij për rolin shpëtimtar të Rusisë ndaj vendeve që dikur përbënin Bashkimin Sovjetik, ka qenë justifikimi teorik i fushatës ukrainase.
Por lista që ka inspiruar doktrinën Putin, duket e gjatë. Duke filluar nga 55-vjeçari Fyodor Lukyanov, kreu rus i Global Affair dhe mbështetës i orientimit drejt Pekinit dhe jo perëndimit të politikës ruse, bashkë me emra si Timofei Bordachev, emri më i shquar i Institutit të tipit “Think Tank” i njohur si Valdai Club, ku spikasin edhe emra të rinj dhe emergjentë si Dmitry Suslov dhe Andrei Sushentsov, lektorë deri më tani në disa prej universiteteve më prestigjioze të botës, në Europë dhe në SHBA, por mbështetës ndaj vendimeve gjeostrategjike të Moskës zyrtare.
Bota akademike praktikisht nuk ka në majat e saj asnjë personazh disident, me rektorin e universitetit të Moskës, më i rëndësishmi në vend, Anatoly Torkunov, që sipas opozitës po shndërron universitetin në një makinë konsensusi për Putin dhe vizionin e një Rusie që supremacinë e saj duhet ta bazojë te forca ushtarake, dhe jo te rregullat ndërkombëtare.
Studentë të atij universiteti kanë qenë edhe figura sot të njohura si zëdhënësja e ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, ndër më aktivet gjatë luftës, si dhe përfaqësues të mediave shumë të ndjekur, nga drejtoresha e kanalit Russia Today, Margarita Simonyan, deri tek moderatori aspak i moderuar, Vladimir Solovyov, që nga kanali shtetëror më i ndjekur në vend, ndoshta i vetmi që kapet në çdo cep të atij vendi aq të madh, përditë lëshon mllef dhe akuza ndaj perëndimit, armikut që duhet të shkatërrohet për të mos u shkatërruar.