Për ngjarjen e rënë në Velipojë që ndodhi mbrëmjen e djeshme, në një prononcim për mediat ka folur xhaxhai dy të vëllezërve Eduard dhe Gëzim Frroku, që dyshohet se janë autorët kryesorë të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Zef Frroku u shpreh se ngjarjen e mori vesh nga televizori, por pohoi se mes dy viktimave Ersildo Ishmi dhe Arsid Hoxha dhe dy vëllezërve Frroku konflikti kishte nisur 2 javë para.
Ai thekson gjithashtu se nuk ka asnjë kontakt me dy nipërit e tij të ndodhur në arrati.
“Shteti nuk ka bërë mirë që e ka lëshuar”, kështu është shprehur Zef Frroku, sipas të cilit fajin për këtë ngjarje të rëndë, e ka Ersildo Ishmi. Frroku thotë se fajin e ka prokurori dhe gjykatësi që e kanë liruar pasi viktima duhet të ishte në burg.
Zef Frroku, xhaxhai i vëllezërve Frroku: “Unë e kam shtëpinë në Bushat, jam Zef Frroku. E kam parë përmes televizorit, por e di se para rreth 2 javësh kanë pasu një konflikt edhe e ka marrë shteti dhe e ka lëshuar për 3-4 ditë. Shteti nuk ka bërë mirë që e ka lëshuar. Policia ka bërë punën e saj, e ka çuar atje, por ai prokuror, ai gjykatës që e ka lëshuar nuk ka bërë mirë as për ne e as për familjen e tij. Rrezik për ne, për familjen e tij dhe për shtetin, që favorizon ata kriminelë, që vijnë këtu edhe bëjnë terror. Nuk kam asnjë lloj kontakti me nipin se unë kam qenë në Bushat. Ata ngatërresa kanë pasur para dy javësh, por ngatërresat i trashëgojnë këtu edhe 20 vjet, a më tepër”.
Ndërkaq kujtojmë se ditën e sotme Policia e Shkodrës ka arrestuar dy persona që dyshohen si bashkëpunëtorët e kësaj ngjarjeje kriminale. Konkretisht janë arrestuar Marjo Pali dhe Zyber Zagrad punonjës të hotelit të familjes Frroku.