Në një bashkëbisedim me qytetarët e Gjirokastrës, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka bërë apel që PD të bëjë gjithçka si forcë politike për ndryshim.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha ka thënë se “PD duhet të ia kishte prerë me kohë biletën Edi Ramës” teksa ka shtuar se qeveria që ia drejton “është antisociale, antiqytetare, antikombëtare”.
Kreu i PD-së, Berisha ka thënë se kjo qeveri që sot është në pushtet ka arritur të mbijetojë e të marrë mandatin e 3-të pasi sipas tij nuk ka marrë përgjigjen e duhur nga Partia Demokratike, teksa shton se për këtë arsye demokratët duhet të angazhohen në një angazhim sa më të përsosur.
“Fakti që ne ndodhemi në mandatin e 3 të një qeverie që kalon nga skandali në skandal, në një mënyrë ose një tjetër na bën përgjegjës dhe ne, na vë çdo demokrat dhe demokrate para një përgjegjësie të madhe shoqërore dhe kombëtare. Ndaj dhe apeli, kushtrimi i thellë i yni sot është të bëjmë gjithçka si forcë politike për ndryshim, të bëjmë gjithçka që në çdo akt dhe veprim tonë të jemi të vërtetë, realë.
Të mos harrojmë një gjë, qyrku, manteli që ne kemi 9-vjeçar nuk flet në favorin tonë sepse ne Edi Ramës, duhet të ia kishim prerë me kohë biletën, një qeveri e mirëfilltë antisociale, antiqytetare, antikombëtare. Por kjo qeveri ka arritur të mbijetojë, të marrë mandatin e 3 sepse ka përdorur të gjitha metodat e paligjshme sigurisht, por nuk ka marrë përgjigjen që duhet nga ne, ndaj dhe ne duhet të angazhohemi në një angazhim sa më të përsosur”, tha Berisha.
Berisha bëri sërish thirrje për protesta të fuqishme në mënyrë që të mos kemi rrënim të shtetit.
“Ju ftoj të angazhohemi në këtë betejë, në protesta të fuqishme. Nuk mund të na pengojnë në zgjedhjet lokale, ku do ecim si një opozitë e bashkuar me një kandidat. Do të bëjmë gjithçka që të dalim me një kandidat. Do bëjmë protesta të fuqishme se përndryshe do të kemi rrënim, rrënim dhe vetëm rrënim”, tha ai.