Beppe Dossena, De Biasi, Panucci dhe Edi Reja, stadiumi i ri dhe shqiptarët që aktivizohen në Serie A. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, rrëfehet për “Gazzetta Dello Sport”.
Nga Dossena te Edi Reja, dinastia e trajnerëve italianë në krye të kombëtares shqiptare po vazhdon…
Trajnerët italianë janë të suksesshëm kudo, historia e ka treguar këtë. E nisa duke i besuar Dosenës, por la shumë pak gjëra. I dyti ishte De Biasi, i cili na dërgoi në Kampionatin Europian për herë të parë. Për këtë mori edhe nënshtetësinë shqiptare, konsiderohet një hero. Panucci erdhi pas tij, ishte i vetmi që më zhgënjeu pak.
Shumë para për të mbyllur bashkëpunimin me Panucci…
Nuk ishte krijuar një klimë e mirë. Vendosa ta zgjidhja trajner të Shqipërisë për karakterin e fortë që ka treguar në fushën e lojës, e admiroja që kur e kam parë në televizor. Nuk kishte eksperiencë si trajner, por nuk e kushtëzova. Mendova se donte ta ndihmonte Shqipërinë. Kur e takova më tha: ‘President, nëse ke vendosur të më largosh, nuk do të kërkoj asgjë”. Dhe tani kemi marrë një kërkesë për t’i paguar edhe shpërblimet, pas shkarkimit. Avokatët po merren me çështjen. Nuk është çështje parash, por ndiej hidhërim.
Çfarë synoni të arrini me Edy Reja?
Reja është trajner me eksperiencë. Me të dhe stafin e tij teknik kemi një projekt me perspektivë. Kualifikimi në Kupën e Botës është i vështirë, synojmë të kualifikohemi në “Euro 2024”. Kjo është ëndrra ime.
Kumbulla është xhevahiri i ri i futbollit shqiptar dhe kërkohet nga klube të mëdha (Napoli dhe Lacio). A mendoni se është gati për këtë hap në karrierë?
Kumbulla është një lojtar shqiptar me shumë perspektivë. Është 19-vjeç, po bën shumë te Verona, po rritet dhe është thirrur në kombëtare nga trajneri Reja, ku ka luajtur disa minuta. Është në rrugë në mbarë për t’u bërë një lojtar me emër. Është i zoti në aspektin teknik dhe fizik, ka karakter të mirë. Te Verona është edhe Rrahmani. Ai ka luajtur më parë me ne, por vendosi të përfaqësonte Kosovën.
Bashkë me të janë dhe Strakosha i Lazio, Hysaj i Napolit dhe Gjimshiti i Atalantës…
Hysaj është kapiteni ynë, është lojtari më me eksperiencë, shpresoj të rifitojë sërish hapësira te Napoli. Ka luajtuar pak me Ancelotti. Gjimshiti është lojtar i mirë, luan në Ligën e Kampioneve dhe nuk është pak për ne shqiptarët. Strakosha dhe Berisha janë të zotë, ata ia kanë vështirësuar zgjedhjen trajnerit Reja për portierin e parë. Në Serie B kemi edhe Veselin.
Tërmeti i 26 nëntorit shkatërroi atmosferën festive, pas inaugurimit të stadiumit të ri kombëtar, një simbol i rilindjes…
Stadiumi i ri është gjëja më e bukur në Shqipëri për momentin, është shumë i rëndësishëm për ne. Në stadiumet e qyteteve të prekura nga tërmeti tani ka çadra. Të gjithë lojtarët e skuadrës sonë kombëtare kanë paguar për rikonstruksionet, bashkë me shumë federata të tjera të futbollit. Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, reagoi menjëherë. Reja kontribuoi bashkë me Lazio. Me paratë e grumbulluara do të ndërtojmë shtëpi të reja për njerëzit e prekur nga tërmeti. Më 10 janar do të luajmë një ndeshje bamirësie mes veteranëve të Shqipërisë, Italisë, Greqisë dhe Turqisë. Paratë e grumbulluara nga kjo ndeshje do të shkojnë për bamirësi (të prekurit nga tërmeti).