Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, gjatë fjalës së tij në prezantimin e fanellave të reja të kombëtares shqiptare, u ka dhënë një mesazh të fortë futbollistëve të ekipit përfaqësues.
“I uroj suksese ekipit kombëtar në ndeshjet e ardhshme. Dua t’iu jap një mesazh që festa tashmë ka mbaruar se ndoshta nuk e kanë kuptuar ende. Tani ka nisur një luftë sportive që ndoshta nuk e kanë kuptuar mirë. Duhet të djersijmë më shumë që të marrim rezultat më shumë dhe jo të buzëqeshim më shumë dhe të marrim rezultat më pak. Duke mos harruar atë që na dhuroi Europiani, duhet të punojmë shumë për të ardhmen”, tha Duka.
Ndërkohë për mediat pas ceremonisë Duka u shpreh:
Për fanellën e re të Kombëtares
“Fanella me të cilën ne u paraqitëm në Europian ishte shumë e bukur, na bashkoi të gjithëve rreth ekipit që na bashkoi aq shumë. Mendoj se ishte edhe e suksesshme se na kënaqi me atë paraqitje në Europian. Duke ruajtur të njëjtat simbole tona kombëtare, duke u nisur nga shqiponja, është prodhuar një model i ri më i rregulluar dhe unë uroj shumë që të ndjekë rrugën e “Triumf” dhe të jetë një simbol i përbashkët për ne”.
Për vendimin që të prezantohet me Italinë
“Çdo ndeshje është e rëndësishme në eliminatoret e një kompeticioni europian apo botëror, çdo ditë është e rëndësishme, çdo minutë e lojës është e rëndësishme. Edhe kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme, fakti që luajmë në Itali, fakt që ka shumë specifika si ndeshje me Italinë, përveç futbollit, por edhe që prodhuesi apo sponsori i kombëtares është kompani italiane, e bën edhe më të rëndësishëm për vazhdimin prezantimin e fanellës së re në ndeshjen në Palermo”.
Për ndeshjen me Italinë
“A do na sjellë fat? Jo në përgjithësi unë i besoj punës e përkushtimit, por në futboll pasi t’i kesh bërë të gjitha duhet të presësh edhe pak fat. Dhe unë uroj që ne të kemi këtë fat me Italinë. Nuk dyshoj që ekipi do të ketë reflektuar, jam i bindur që nuk kemi dhënë më të mirën në ndeshjet e kaluara. Mund të them që ekipi ka kaluar një lloj shoku pas suksesit, një lloj shoku normal që e kemi kaluar të gjithë dhe pika e kthesës të jetë Italia, grafiku i ri të vijë në drejtimin e paraqitjes së mirë”.
Për lobimin në rrugën drejt një vendi në Ekzekutivin e UEFA-s
“E vështirë, nuk është se kam ndonjë program të përcaktuar. Kemi disa mbledhje me përfaqësues të rajoneve të ndryshme, një me rajonin e Ballkanit, një me rajonin e vendeve skandinave dhe një me rajonin e Europës qendrore”.
Për praninë e tifozëve në Palermo
“Nuk ka munguar tifozi për ekipin kombëtar shqiptar dhe nuk do të mungojë, jam shumë i bindur, as në Palermo pavarësisht numrit të kufizuar të biletave që kemi si Federatë. Jam shumë i bi.ndur që shqiptarët që jetojnë në Itali apo Europë, apo qoftë edhe ata që jetojnë në Shqipëri, do të kenë mundësinë të sigurojnë një biletë nëpërmjet rrjetit të Federatës dhe ta skuqin stadiumin e Palermos”.