Kulturë “Duke bërë letërsi, të duket se krijon një realitet tjetër që as...

“Duke bërë letërsi, të duket se krijon një realitet tjetër që as thinjet, as vdes”

Sokrat Habilaj

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Sokrat Habilaj.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

-Jo thjesht lumturia “e përkryer”, po edhe vetë lumturia, ndoshta nuk ekziston, ndërsa ne jemi në kërkim të saj. A, nëse na duhet të shpikim një lumturi, ndoshta  kjo udhë, ky motiv për të ecur drejt saj, është vërtet imazh lumturie. Ne jemi pjesë e botës ku jetojmë, por nuk e dimë sa mund të quhet e lumtur kjo botë. Më tej akoma, nëse bota është e pa lumtur, secili prej nesh, si pjesë e saj, nuk e dimë sa do të quheshim të lumtur! Shpesh jemi të trishtë, po këtu s’ka asgjë për t’u alarmuar. Fakti që ndihemi të trishtuar, tregon në fund të fundit, se jemi duke menduar anën tjetër të trishtimit, por dallimi është se trishtimi është real bindemi kur e prekim atë, ndërsa për “lumturinë e përkryer”…!? Le të mendojmë se është diku dhe ne ecim drejt saj!

Cila është frika juaj më e madhe?

-Letërsia më ka ndihmuar të kem imunitet nga dy frikëra që ka shumica e botës, pleqëria dhe vdekja. Duke bërë letërsi, të duket se krijon një realitet tjetër që as thinjet, as vdes. Frika ime më e madhe do jetë kur të shikoj ndonjë thinjë tek dy djemtë e mi! Sa do të doja që ky fenomen, pra të thinjurit, të mbyllej me mua!

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

-Është një personazh që se njohin shumë të tjerë, veç meje. Ka qenë njeri i thjeshtë dhe gjithë jetën punoi në bujqësi. Vite më vite më parë, ulur pranë meje, nën një lis, ndërsa më shikonte me një bllok në dorë, në dialektin e tij jugor, më bëri vargëzimin më madhështor të botës sime poetike: “Krre vargje/ të krrefsha sytë,/ ky vend/ nuk është vendi yt!”. Ai e donte këtë vend më shumë se çdo njeri tjetër, po nuk di, ndoshta vetë ai ndihej i huaj, a ndoshta dallonte se edhe unë ndihesha i huaj në dheun tim, atje nën një lis që dukej se rrënjët i kishte thellë tek unë.

Cili është personaliteti historik me të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

-Fshati ku unë kam lindur, ka një emër të çuditshëm: Vajzë! Në thellësi të shekujve, kur burrat i kishte marrë lufta dhe plumbi, dikush nga ky fshat duhet të shkonte si përfaqësues për të përcaktuar kufijtë e fshatrave-shtet. Nuk gjetën asnjë burrë dhe shkoi një vajzë. Ajo shënoi kufijtë e atij fshati që ekziston dhe sot. E përcaktoi që të kishte, mal, fushë, pyll, dy përrenj dhe burime pa fund. Nuk di çfarë kanë bërë më shumë burrat e shtetit dhe personalitetet historike, në të kaluarën, apo sot, krahasuar me këtë vajzë, po unë adhuroj këtë personazh!

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

-Kur pi ndonjë gotë verë, apo raki, me miqtë, flas shumë. Ndoshta nuk bëhem shumë i mërzitshëm se humorin se kam të keq, po vjen një çast dhe imponohem: -Një sekondë se do ju them një gjë të bukur! Eh…ndoshta vërtet do them ndonjë gjë të bukur, po kjo… ”një sekondë”… s’më pëlqen dhe pendohem më pas!

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

-Mëshira! Askush nuk meriton të shikohet me mëshirë sa do i dobët të jetë. Nëse këtë njeri të dobët, nuk e trajtojnë me dinjitet, më mirë ta lënë në fatin e vetë! Njeriu nuk duhet të vritet dy herë, njëherë nga fati dhe njëherë nga mëshira!

Në cilat gjëra e teproni?

-Vuaj shumë kur më lëndojnë të tjerët. Vuaj aq shumë sa e teproj. Vjen një çast që i them vetes mirë ta bënë dhe kështu, vuajtja më bëhet dyfish. Sikur të mos mjaftonte balta që më hodhën të tjerët, nis dhe i hedh dhe unë baltë vetes.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

-Asgjë! Kjo nuk do të thotë jam aq i kulluar dhe nuk kam gënjyer kurrë, a se nuk do gënjej kurrë në të ardhmen, por nuk gjej asnjë motiv që të justifikoj gënjeshtrën. Le të mbetet thjesht një dobësi njerëzore, nga e cila unë nuk jam i imunizuar.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

-Do të doja një udhëtim me tren në linjën trans siberiane! Kjo nuk ka asnjë lidhje nëse është Lindje a Perëndim, po më duket se nëse do duhej të udhëtoje në palcën e tokës, nëse do duhej të prekje misteret e saj, do të duhej të merrje trenin që përshkon dy kontinente. Ndoshta e realizoj, ku i dihet. Personin me të cilin do udhëtoj e kam gjetur, tani thjesht duhet të shkoj në…Vladivostok!

Cilën fjalë, apo frazë e përdorni më së shpeshti?

-Më dëgjo një sekondë! Ndoshta më është bërë shprehi, a ndoshta bota, e kur them bota kam parasysh njerëzit përreth, nuk dëgjojnë sa duhet,  po fakt është se këtë shprehje e përdor shpesh.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti, keq apo jeni penduar që e keni bërë?

-Nuk është se pendohem kur grindem me dikë. Grindja është pjesa jonë, qoftë dhe e dashurive dhe malleve tona. Unë pendohem kur grindem me dikë që e dua shumë, kur fajin nuk e kam unë, por e ka personi përballë meje. E vuaj shumë post grindjen me këtë person. Nëse fajin do ta kisha unë, di vet si ta dënoj veten, po personit përball që e dua deri në dhimbje, çfarë t’i bëj? Duhet të prisja një rast tjetër që faji të ishte imi e të fillonim të grindeshim.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

-Në poezitë e mia, pa përjashtim, frymon një grua, një grua e vetme, prej mishi e gjaku. Ndihem mirë që ajo është aty, po edhe nëse nuk do ekzistonte, unë do ta krijoja. Do ta krijoja edhe si trill poetik. Sa do poetike, apo si imagjinatë të tingëllojë kjo, unë them se do ta krijoja sepse nuk doja ta lija botën pa të, po është fat që ajo është realisht. Është fat që ajo më thotë, mjaft i ktheve gratë në germa dhe germat në gra. Unë jam gruaja! Ajo, e vërteta!

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

-Mundohem të reflektoj pozitivitet. Realisht ndihem i mbushur. Kam një mik atje në Jug. Më ndodhë që në ndonjë çast, ta shikoj të trishtuar dhe mundohem ta lexoj, a thjesht të më flas hapur në atë çast. E shikon atë grumbull reshë të zymta mbi Tartar, më thotë. A nuk të duket si të bëra pis? Ja kjo më trishton, thotë ai. Dhe me këto ndoshta do që të më thotë, se ose ai vetë nuk e lexon dot trishtimin e tij, se unë nuk e kuptoj dot atë. E pra të gjithë pra kemi çaste të tilla!

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

-Përkundrazi unë do të doja të ndryshoja shumë gjëra! Dhe kur them shumë, janë realisht shumë, por meqenëse janë shumë, do të preferoja të mos ndryshoj asgjë dhe gjërat të mbeten kështu si janë.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

-Unë kam bërë gabime! Gabime në jetë, gabime në letërsi, megjithëse poezinë nuk do doja ta trazoja me gabimet. Më pëlqen ashtu si e kam shkruar, por kam një arritje që nuk do ta krahasoja me asgjë në botë. Kam një arritje kaq madhështore, kaq të bukur për të cilën u lutem gjithë perëndive. Kam një arritje, e cila ishte dy, u bë katër, gjashtë…dhe kjo është familja ime!

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

-Të riecja sërish në njëjtën udhë. Fati na përcakton udhën ku ecim, dhe është kjo udhë që përcakton edhe fytyrën, imazhin dhe karakterin tonë. Nëse do të ecnim në udhë tjetër, ne do të ishim dikush tjetër. Më pëlqen ky që jam.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

-Pishë! Është e vetmja qenie që jo vetëm nuk i bënë bisht tufanit, por duket sikur dëshiron të ndeshet me të, duke mos u ruajtur. Nuk e zgjedh vendin ku mbin, madje shpesh mbinë atje ku tufani e përplasë më shumë. Përkulet deri në tokë, duket sikur do zhduket, por ngrihet sërish e drejtë dhe krenare.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?

-Është fakti, apo ideja se unë qëndroj diku në mes, dhe nga një anë janë prindërit e mi, ndërsa nga ana tjetër janë fëmijët e mi. Unë i kthyer në nyje lidhëse, apo kjo nyje që mbanë emrin tim, është gjëja ime më e shtrenjtë.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

-Të mashtrosh miqtë e tu. Të sillesh me ta me shumë fytyra. Dhe në fund, pasi të të kenë njohur se kush je, të të braktisin. Ky është mjerimi më i madh për këdo!

Ku do të dëshironit të jetonit?

-Diku, ku bashkohen dy dete, ku ka një lumë, dy përrenj, tri çezma dhe pa fund burime.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?

-Kur ai e kupton se nuk bën pjesë në gjysmën më të bukur të botës, po kjo pjesë ndodhet përballë tij, dhe ai di si sillet me pjesën përballë.

Çfarë vlerësoni tek një femër?

-Shkurt, të qenit grua! Ky vlerësim duket si klishe mashkullore, po le të vazhdoj më tej në këtë hulli. Kam njohur një grua, një grua të jashtëzakonshme, që në raport me të, më krijoi mundësinë  të ndihem i privilegjuar, si të thuash të ndihem “i parë”, duke u ndjerë në të njëjtën kohë edhe rob i shpirtit të saj. Ky është tej limitit të vlerësimit për një femër. Ky është adhurim!

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

-Natyrisht që shkrimtari im i preferuar është rus, sepse letërsia ruse është më e madhja në botë dhe disa nga shkrimtarët rus janë maja. Askush si ata nuk të rrëmben pa asnjë mundësi kundërshtimi, drejt arenave të veprave të tyre letrare. Nëse duhet të them një emër, ky është Leon Tolstoi!

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

-Dikur ishin të dy prindërit e mi, tani është nëna. Dikur mendoja se shtëpinë time të fëmijërisë e mbanin mbi shpatulla ata dy dhe me ikjen e njërit, do fillonte të shembej. Po nuk ndodhi kështu. Babai ka kohë që ka ikur, ndërsa është vetëm nëna dhe ajo shtëpi, nuk ka pësuar asnjë plasaritje! Ajo ka plotë arsye të tjera që e mbanë në këmbë atë shtëpi, po fakti që ajo e mbanë edhe për të ruajtur ta paprekur fëmijërinë time, ta quaj heroinën time, është pak!

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

-Të isha mjeshtër në gjueti. Të vrapoja në shpate malesh, mes pyllit, të ngrija leqe dhe mëngjes, shumë prej kafshëve të mbetura në leqe, t’i lëshoja sërish.

Si do të dëshironit të vdisnit?

-Do doja të ishte mëngjes dhe të binte një shi i imtë dhe ashtu duke ikur, nëse do të mundesha të dëgjoja ndonjë shprehje nga ata që hidhnin hapat pas meje, do doja të thoshin:-Ishte ca nopran, po nuk la pas asnjë borxh.

 Cila është motoja juaj?

-Të shkruaj pa fund poezi, të shkruaj çdo ditë, madje dhe kur të mos jem duke shkruar, të jem duke menduar poetikisht. Një profesion që nuk të jep asnjë pare. Thjesht të mundëson të arratisesh nga çdo gjë që të mërzit./ ObserverKult