Politika “Dumani është Bin Ladeni i drejtësisë”, Blushi: Metën e nxorën me forcë...

“Dumani është Bin Ladeni i drejtësisë”, Blushi: Metën e nxorën me forcë njerëz të maskuar dhe të paidentifikuar

Nga ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të policisë ku besohet se ndodhet aktualisht ish-Presidenti i arrestuar, Ilir Meta, Sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi akuzoi SPAK-un si organizatë terroriste.

Ai tha se ndalimi i kreut të PL është “një akt i mirëfilltë terrorist nga kryeterroristi Altin Dum Dumani”. Madje Blushi e cilësoi kreun e Prokurorisë së Posaçme si “Osama Bin Laden i drejtësisë shqiptare”.

“Asnjë akuzë nuk qëndron nga ato që fabrikon kjo strukturë terroriste në media. Kemi të bëjmë me akt të mirëfilltë terrorist nga krye terroristi, Bin Ladeni i drejtësisë shqiptare, Altin Dum Dumani. Ka guxuar sot të marrë peng ish-Presidentin, ish-kryeministrin dhe ish-kryetarin e Parlamentit. Kam edhe një mesazh për ata horra me kapuç të zinj sot, që guxuan të vënë dorën mbi Presidentin e Partisë së Lirisë, e kanë personale me ne. Sepse mënyra dhe akti kriminal i paligjshëm dhe terrorist i një strukture terroriste që tenton të eliminojë opozitën do të marrë një përgjigje shembullore”, tha Blushi.

Në vijim, Blushi deklaroi se Meta është arrestuar pasi i ka dalë kundër kryeministrit Edi Rama, për disa çështje të rëndësishme që cenonin sovranitetin e Shqipërisë, siç është çështja e Detit me Greqinë.

“Arsyeja e ndalimit të Presidentit Meta nuk është një, janë disa. Është çështja e detit me Greqinë, është mbrojtja që i ka bërë sovranitetit të Shqipërisë, është mbrojtja që i ka bërë çështjes kombëtare dhe lufta e tij me bandën e Edi Ramës dhe Xhorxh Sorosit. Këta kriminelë dhe terroristë do të trajtohen si armiq dhe do të marrin përgjigjen pa mëshirë nga opozita e bashkuar”, u shpreh Blushi.

Sekretari i PL pati kritika të forta edhe për mënyrën si u bë ndalimi i Metës, i cili u vu në pranga nga agjentë të BKH-së te Kthesa e Kamzës në kryeqytet. Sipas Blushit, ndalimi është bërë nga njerëz të armatosur e me maska të zeza që nuk janë identifikuar.

“Nuk mund të ndodhë në asnjë vend demokratik ato skena të fëlliqura që pamë sot, të filmuara nga struktura kriminale që është SPAK-u. Sepse ai ndalim sot kriminal, nga njerëz me kapuça të zinj që ndalojnë në mes të ditës, në mes të rrugë ish-Presidentin e Republikës së Shqipërisë, pa u identifikuar, sepse kanë tentuar ta nxjerrin me forcë nga makina. Persona të maskuar dhe të armatosur, kriminelë që janë prezantuar në emër të SPAK-ut”, deklaroi Blushi.