Gjatë një takimi informal me gazetarët, kreu i SPAK, Altin Dumani, u pyet në lidhje me fazën në të cilën ndodhet hetimi për çështjen McGonial.
“Ne nuk mund të japim asnjë informacion. Kemi patur një kallëzues, z. Gazment Bardhi, të cilin e kemi informuar për gjithçka që ka kërkuar, pasi e kemi detyrim ligjor informimin e kallëzuesit. Por i kemi kërkuar të nënshkruajë mbi ruajtjen e sekretit hetimor dhe të mos bëjë publik informacionin e marrë”, u shpreh Dumani.
Në lidhje me hetimet e këtij viti Altin Dumani tha: “Në 2023 kemi dyfishuar numrin e hetimeve proaktive. Vetëm për këtë vit ka 68 çështje të nisura kryesisht, duke mbajtur rekordin e 3 vjetëve SPAK. Çështjet të ndara, krim dhe korrupsion. Indiciet janë marrë nga mediat, deklaratat e politikanëve dhe burime të agjentëve të BKH.”
Dënimi i McGonigal nga drejtësia amerikane
Dy javë më parë, drejtësia amerikane vendosi të dërgojë pas hekurave ish-shefin e kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal, me 4 vite e 1 muaj burg, pasi akuzohej se ka punuar për llogari të oligarkut rus Oleg Deripaska. Pasi të kryejë dënimin ish-agjenti i FBI do të duhet të qëndrojë për tre vite në liri me kusht dhe do të shlyejë një gjobë prej 40 mijë dollarësh.
Prokurorët federalë kishin kërkuar një dënim me pesë vjet burg për McGonigal, pasi e akuzuan atë për abuzim me aftësitë dhe ndikimin që i kishte besuar vendi i tij, por ai u dënua me vetëm 50 muaj, ndërsa do t’i duhet të dorëzohet tek autoritetet për të nisur vuajtjen e dënimit më 26 shkurt.
McGonigal, i cili drejtoi divizionin e kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork nga viti 2016 deri në 2018, u deklarua fajtor për akuzën në gusht të këtij viti dhe u bë një nga agjentët më me influencë që është përballur ndonjëherë me akuza penale për bashkëpunim me rusët.
55-veçarit do t’i duhet të përballet sërish me gjykatën në fillim të vitit të ardhshëm, këtë herë në Uashington, për çështjen që e lidh atë me Shqipërinë.
McGonigal akuzohet se ka mbajtur të fshehtë një pagesë prej 250 mijë dollarësh, që i është bërë atij nga një zyrtar i inteligjencës shqiptare gjatë kohës që punonte si agjent i FBI. Sa i përket kësaj çështje, McGonigal rrezikon të dënohet me 5 vite burg, pasi ai pak kohë pranoi fajin.