Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, tha se ai dhe kolegët e tij janë kërcënuar për shkak të detyrës.
“Jemi përballur me përpjekje për ta minuar punën tonë, me fyerje, shpifje, kërcënime ndaj nesh apo familjarëve tanë. Por përballë këtyre jemi mbledhur bashkë si një trupë e vetme kolegësh. Kemi kuptuar sa e rëndësishme është pavarësia e institucionit ku ushtrojmë detyrën dhe sa i rëndësishëm është integriteti i gjithsecilit nga ne. Nëse dikush mendon ndryshe gabohet. Jemi betuar për t’i shërbyer vendit, drejtësisë shqiptare dhe qytetarëve shqiptarë”, tha Dumani në fjalën e tij gjatë ceremonisë me rastin e 5-vjetorit të krijimit të SPAK.
Ai shtoi se SPAK është sot i pavarur dhe se po punon për të siguruar që ligji të jetë i barabartë për të gjithë.
Dumani falënderoi në fjalën e tij ndërkombëtarët, Policinë e Shtetit dhe BKH, por edhe mediat dhe familjarët. “Një falënderim i veçantë shkon për familjarët tanë, të cilët na kanë mirëkuptuar për kohën e munguar ndaj tyre. Suksesi ynë nuk mund të ketë kuptim pa ju!”, tha Dumani.