Dy adoleshentë, 16 dhe 18 vjeç janë arrestuar nga forcat e Komisariatit Nr.5 të Policisë së Tiranës, pasi terrorizonin lagjen me armë zjarri.
16-vjeçari M.K. dhe 18 vjeçari E.K. qarkullonin të armatosur në Kamzë dhe qëllonin në ajër gjatë natës. Ata ishin kthyer në shqetësim për banorët, të cilët njoftuan më pas policinë.
Gjatë aksionit për kapjen e tyre, 16-vjeçari u arrestua në flagrancë duke qarkulluar i armatosur me pushkë me 20 fishekë, së bashku me 18-vjeçarin. Ndërsa gjatë kontrollit në banesën e këtij të fundit, u sekuestrua edhe një pistoletë.
16-vjeçari M.K. është person me precedent të mëparshëm penal, edhe pse në një moshë të vogël. Ai ka qenë i arrestuar dhe i proceduar disa herë për vjedhje, armëmbajtje pa leje dhe dhunë në familje. Dy adoleshentët tashmë akuzohen për armëmbajtje pa leje dhe prishje e qetësisë publike.