Kryesore DY ARISTOKRATËT/ Thënie brilante për shqiptarët nga Faik Konica dhe Mit’at Frashëri

DY ARISTOKRATËT/ Thënie brilante për shqiptarët nga Faik Konica dhe Mit’at Frashëri

Kush më mirë se Faik Konica dhe Mit’hat Frashëri mund të perifrazojë shqiptarët? Dy aristokratët e mendimit shqiptar, jo vetëm që i kanë vlerësuar bashkëkombasit, por duke mos pasur komplekse, kanë vënë në dukje me një ironi të hollë, por mjaft therëse karakterin tonë.

Ka thënë Faik Konica…

1- Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari.

2- Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar.

3- Një e thënë latine e Kohës së Mesme, e ndryshuar pak: Homo homini lupus – Njeriu për njeriun është ujk. Femina feminae lupior – Gruaja për gruan është më ujke. Albanus Albano lupissimus – Shqiptari për shqiptarin është fare ujk (ujk e shkuar ujkut).

4- Shqiptari e ka zakon që kundërshton para se të marrë vesh.

5- Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë. –Faik Konica

6- Në qoftë se Shqipëria – fjalë fatale – vdes, ahere mundet, pa shpifje, të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj: U ngjall nga idealistët, u ruajt nga rastet, u vra nga politikanët…

7- Kombi (iliro-shqiptar) i Diokletianit, i filozofit Julian, i Justinianit, është një komb i cili kishte një qytetari të tij kur stërgjyshërit e frëngjve dhe të anglezëve visheshin me lëkura bualli dhe rronin të futur në shpellat.

8- Shqiptarët janë tolerantë për besimet e tjera dhe ndoshta, ky është i vetmi vend në Evropë ku nuk ka pasur luftëra fetare.

9- E harrojmë të shkuarën me një frazë të ndyrë “ç’i gris t’ëmën”, dhe biem prapë në grackat e para. Me këtë mentalitet do mos mundim kurrë të bëjmë një shtet serioz. Sa kohë që ne besojmë edhe kur na thonë se fytyron gomari, le të mos presim ngritjen tonë sociale dhe politike. 10- Se ç’pret prej një populli që sheh me syt’ e tij vrasje, vjedhje, grabitje e të këqija të tjera dhe duartroket qeverinë kur i thotë ajo që ka qetësi të plotë. Na thonë, se qetësia mbretëron në Shqipëri; e besojmë. Na thonë, se për tre javë do ndodhet eksperti i financave në Shqipëri, gëzohemi. Na thonë, se qeveria do blerë dhjetë aeroplanë dhe japim me duart plot. Na thonë, se për pak kohë Shqipëria do të bëhet oksidentale, duartrokitim. Na thonë, se qeveria e shpëtoj shtetin nga një rrezik i madh, thërrasim me tërë fuqinë: “rroftë qeveria kombëtare!” Na thonë se fluturoi gomari… ne e besojmë!

11-Shqiptari, sado përtimtar që është, i vihet shpejt punës posa sheh që puna s’i ka për të vajtur kot. Ndofta keni dëgjuar se Kanali i Korinthit në Greqi, i cili bashkoi dy dete, u rrëmih më shumë prej punëtorësh shqiptarë. Punonin, ata djelmt’ e shëndoshë të Shqipërisë, punonin…. Një komb përtimtar nga rrënja është një komb i ngordhur.

12-Shqiptari është tepër i pavarur dhe tepër individualist, nuk i nënshtrohet ndikimit të kujtdo qoftë në kundërshtim me vullnetin e vet.

13- Një tipar padyshim fatkeq i shqiptarëve dhe tipar mjaft i dukshëm është mungesa e plotë e idealizmit. Në një vend ku njerëzit vdesin aq kollaj për hiçgjë, nuk është dëgjuar që të vdesë dikush për një ideal ose çështje.

14- Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot.

15- Shqiptarët e mjerë presin që Evropa të vijë sot a nesër t’i shpëtojë. Është nevojë të themi, të bërtasim të vërtetën: Evropa shqiptarët i ka për të egër e për të humbur… Le të themi pra të vërtetën, gjithnjë të vërtetën,… të përpiqemi t’i fryjmë popullit tonë pak jetë e pak guxim.

16- Një tipar karakteristik i shqiptarëve është dashuria për paratë; ata janë gjithnjë të gatshëm t’u hyjnë aventurave më të rrezikshme, po të jetë se e shohin që del fitim. Në kohët e Perandorisë Turke të vjetër, turqit tregonin një histori: “E pyetën shqiptarin: a do të shkosh në ferr?” Ai u përgjigj: “Sa të paguajnë atje?”.

17- Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen.

1- Shqiptari prej natyre është kotësidashës, plot vanitet dhe egoizëm. Nuk i pëlqen kurrë të shohë dhe të njohë fajin dhe të metën e tij: i pëlqen kurdoherë të ngarkojë një tjetër.

2- Shqiptarët, megjithëse në pjesën më të madhe myslimanë, nuk e kanë konsideruar veten kurrë turq. Në të kundërtën, ata kishin një nocion të qartë për individualitetin e tyre dhe një hendek i thellë i pengonte ata të ngatërroheshin me racën e pushtuesve.

3- Kur merr një detyrë, ki disiplinë e durim. Shqiptarin e ka prishur mungesa e disiplinës dhe zjarri i padurimit

4- Shqiptarin e ka prishur mosbindja dhe jo bindja. Nis ti më parë të japësh shembullin e bindjes jo të verbër.

5- Hiqe veten si pak të mençur dhe pak të ditur. Mendjemadhësia na ka çmendur gjer më sot.

6- Duhet të kemi kurajo të themi të vërtetën, të bardhës ti themi të bardhë dhe të zezës- të zezë.

7- Mos e qorto dhe mos e shaj shqiptarin për fajin që ka bërë, se ajo është mënyra më e fortë që ta bësh të këmbëngulë në atë faj. Merre me të mirë dhe shiko ta bindësh, pa pasur as pamjen e të dhënit këshillë.

8- Shqiptari, duke mos qenë i mësuar me jetë politike, dua të them, duke mos pasur gjer më sot shtet, qeveri dhe independencë, s’ka kuptuar dot akoma barrën, detyrat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga një jetë indipendente.

9- Patrikularizma, lokalizma dhe ekskluzivizma tek shqiptari rrëfehen me atë mani që ka secilido të marrë emrin e fshatit ose të qytetit si emër familjeje. Kur piqen dy shqiptarë, pas gëzimit të parë, pyetja esenciale është: nga të kemi zotëri?

10 – Shumë herë ideali për shqiptarin është të qenët i zoti, me çdo mënyrë që të jetë. Pa dyshim, duke pasur horizontin të ngushtë, nuk mund të kërkojë veç sukseset e lehta.

11- Vetëm një proverb të mirë di: ”Trimi i mirë me shokë shumë”. Por kur mendoj fjalën e Ali Pashës: dy shqiptarë janë shumë! Atëherë kam dëshirë ta kthej proverbin: ”Trimi i mirë me shokë…pak!”

12- Shpëtimi i Shqipërisë do të vijë me anë të vetes tonë.

13- Shqiptari ikën jashtë Atdheut me lehtësi, jo se ai emigron, po ai shkon të kërkojë fatin gjetiu dhe është mbase ky eksod që pengon vendlindjen e tij që të kultivohet më mirë.