Aktualitet Dy familjet shqiptare të narkotrafikut u tradhëtuan nga korrieri italian. Nëna këshilloi...

Dy familjet shqiptare të narkotrafikut u tradhëtuan nga korrieri italian. Nëna këshilloi djalin: Mos i beso askujt

Mes 16 shqiptarëve të arrestuar, janë edhe Eduart Goseni e Shkëlqim Lusha, si drejtues të rrjetit të trafikut të drogës të zbuluar në Milano të Italisë. Ata menaxhonin aktivitetin e paligjshëm si një familje mafioze, ku paratë e fituara i investonin në Shqipëri

Në hetimin që çoi në arrestimin e 16 shqiptarëve në Itali në një rrjet të gjerë të trfikut të drogës, zbulohet se qëndronin dy familje mafioze shqiptare, Lusha dhe Goseni. Droga shitej me kilogramë, me korrierë që furnizonin grupet e trafikut të drogës dhe nga fitimi i këtij aktiviteti, paratë investoheshin në biznese të ndryshme në Shqipëri në formën e pastrimit.

Mediat italiane zbulojnë se në krye të trafikut qëndronin Shkëlqim Lusha, 57 vjeç dhe Eduart Goseni, 49 vjeç,  si personat kryesorë të arrestuar gjatë aksionit antidrogë të policisë në Milano në operacionin e 13 shtatorit, ku ranë në pranga 24 persona. Dy shqiptarët, dyshohet se janë përfaqësues të dy familjeve që kontrollonin trafikun e drogës.

Rrjeti kriminal sipas “Corriere Della Sera”, ka shitur qindra kilogramë drogë në Milano dhe rajonin veriot të Lombardisë.

Hetimet nisën pas arrestimit në vitin 2020 të korrierit Daniele Carra, 57 vjeç (nga Pandino, Kremona), në Zvicër me 5.9 kilogramë heroinë, i cili vendosi të bashkëpunojë me policinë.

Carrà nuk ka përvojë dhe kur përfundon në burg vendos të bashkëpunojë: “Kam filluar të shes drogë në vitin 2019 për të fituar para”, – dëshmoi ai për hetuesit italianë.

Historitë e tij do të përputhen me bisedat, të dhënat e përgjimeve telefonike dhe bisedat në duart e karabinierëve.

Shqiptarët i mbanin gjithmonë llogaritë me një organizatë të ngjashme me atë të krimit të organizuar italian.

Dhe në fakt, si në një histori mafioze, në një moment, është nëna e Eduart Gosenit, Dëshira, ajo që nxiton të vijë nga Shqipëria në Itali për të ndihmuar djalin e saj pas arrestimit të Carra-s.

Jo vetëm për ta ngushëlluar, por për ta “ndihmuar” në organizimin e trafikut të drogës. “Puno pak më ndryshe, mos i beso askujt derisa të zgjidhësh problemet që ke…”, këshillon ajo të birin.

“Me këto para? Por as një gram, thuaji që ta harrojë…”, urdhëron ajo Eduartin në drejtimin e një negociate. Gjatë operacionit të policisë italiane, u sekuestruan 12 kilogramë kokainë dhe gati 50 mijë euro cash.

Dy persona të tjerë përfunduan në qeli pasi iu gjet drogë në shtëpi. Një nga të dyshuarit, një 31-vjeçar maroken, ishte viktimë e një prite me armë në Paderno Dugnano mbrëmjen e 12 marsit, por pa u lënduar.

Qarkullimi i grupit është i madh. Sa për të dhënë një shembull, falë një fletoreje, ku mbaheshin llogaritë, hetuesit kanë rikonstruktuar të paktën një pjesë të shitjeve: 544.500 euro.

Për këtë arsye edhe gjyqtari hetues Mattia Fiorentini ka urdhëruar sekuestrimin “për ekuivalent” të pasurisë së bandës.

Pas një udhëtimi në Kalabri, një nga të arrestuarit tha: “Ishin njëqind kalabrezë dhe vetëm një shqiptar. Do ta shihni nesër se çfarë do të bëj, do të shkoj të marr atë pampampam (armën) dhe do ta mbaj me vete si dikur. Unë nuk do t’u dorëzohem atyre i gjallë, më mirë të vras veten”.