Aktualitet Dy gurët e parë në sheshin “Skënderbej” nga Tropoja e Vlora, Rama:...

Dy gurët e parë në sheshin “Skënderbej” nga Tropoja e Vlora, Rama: Do të vëmë një qilim unikal

Nis puna për shtrimin e pllakave në sheshin “Skëndërbej”.  Kryebashkiaku Veliaj dhe kryeministri Rama vendosën dy gurët e parë, njërin nga Tropoja dhe tjetrin nga Vlora.

Në fjalën e mbajtur para të pranishmëve, Rama u përqendrua tek ajo që e quajti si ana pozitive e zvarritjes së realizimit të këtij projekti.

“Pavarësisht zvarritjes, koha i bëri mirë projektit, sepse ai që po finalizohet sot nuk është tërësisht projekti që u nis shumë vite më parë, e që pastaj u bllokua e më pas u zëvendësua nga një pampers në mes të Tiranës. Është një projekt i zhvilluar dhe transformuar në një metaforë urbane fantastike për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha ai.

Metafora për të cilën flet kryeministri është tapeti i këtij sheshi.

“Ky shesh ka qenë gjithmonë pikë referimi për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, për shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Luginës së Preshevës, Malit të Zi, për shqiptarët kudo ku jetojnë. Projekti ka fituar, jo përmasë në sipërfaqe, por në përmbajtje pasi do të jetë një qilim unikal i thurur me gurë nga të gjitha trojet shqiptare, ku do të rrinë pranë e pranë gurët e Malishevës me gurët e Konispolit, të Mirditës, Tropojës me gurët e Manastirit. Kjo e bën këtë shesh unikal në historinë moderne urbane”, tha Kryeministri, duke shtuar se projekti fillestar është ndryshuar edhe sa i përket hapësirës së gjelbërt, që është shtuar.

sheshi-skenderbej

“Nuk ka qenë në fillim një projekt me këtë përmasë të gjelbër që vjen edhe si rezultat  i një reflektimi ku dosmosdoshmëria për të patur sa më shumë gjelbërim bëhet më e thekshme”, u shpreh Rama.