Komisioni Qendror i Zgjidhjeve i ka dhënë mandatin deputetit 3 kandidatëve të rinj, dy nga PD dhe një nga LSI, duke e çuar në 99 numrin e deputetëve në Kuvend.
Kështu vakancën e Edmond Spahos në Elbasan e merr Arben Elezi, ndërsa Adriatik Alimadhi do të zërë vendin e Agron Shehajt në listën shumë emërore të Vlorës.
Ndërsa vakancën e krijuar nga Agron Çelaj në Shkodër e merr Amra Barova.
Me betimin e 3 të rinjve, numri i deputetëve në Parlament do të shkojë në 99, ku 17 prej tyre janë të rinj të ardhur nga listat e PD dhe LSI pas djegies së mandateve.
Listave të kandidatëve po i vjen fundi në disa qarqe.
Në Kukës, Partia Demokratike nuk ka më kandidatë, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur pazgjedhshmërinë edhe për të fundit në listë, Miftar Dauti. Gjithashtu KQZ-ja ka shpallur mozgjedhshmërinë edhe për 10 kandidatë të tjerë në Gjirokastër, Korçë, Lezhë, Shkodër dhe Tiranë.
Ndërsa për LSI-në dy kandidate femra, njëra në Berat dhe tjetra në Tiranë nuk kanë dorëzuar formularin e dekriminalizimit në KQZ.
Në disa qarqe ka përfunduar lista e kandidatëve gra.