Sport Dy krijuesit e sprajit mundin FIFA-n në gjyq, fitojnë 120 milionë euro

Dy krijuesit e sprajit mundin FIFA-n në gjyq, fitojnë 120 milionë euro

FIFA humb gjyqin dhe duhet të paguajë 15.000 euro për çdo ndeshje të luajtur që nga 2017-a për dy individët që krijuan sprajin. Historia nis që nga Botërori i 2014-ës në Brazil dhe mbyllet tani, në 2021-shin.

“Jemi shumë të lumtur, por edhe të shokuar për faktin se dy individë të thjeshtë si ne kanë mposhtur një gjigant si FIFA”. Janë fjalët e Pablo Silvës dhe Haine Allemagne, dy shpikësit e sprajit të përdorur gjatë viteve të fundit nga arbitrat për të shënuar distancat në fushë.

Beteja ligjore ka nisur që në vitin 2014 dhe tashmë ka ardhur sentenca: trupi i Gjykatës civile të Rio de Zhaneiros urdhëron FIFA-n të paguajë krijuesit e sprajit, pasi ka përvetësuar pa asnjë pagesë idenë e tyre të regjistruar rregullisht.

Shuma që dy krijuesit do të përfitojnë është për rekord: 120 milionë euro. Sep Blater, si president i FIFA-s në 2014-ën, kishte arritur një akord me dy krijuesit e sprajit për 40 milionë, por kësaj shume i shtohen 15.000 euro për çdo ndeshje, ku spraji është përdorur, si dhe gjoba të ndryshme. Edhe Xhani Infantino, presidenti aktual i FIFA-s, është pjesë e çështjes, sepse gjoba prej 15.000 eurosh për ndeshje fillon nga 2017-a, kur ai ka qenë në detyrë.

Para se të jepej sentenca, rrugëtimi ka qenë shumë i gjatë: 7 vjet proces gjyqësor, sepse që në 2014-ën një gjykatës i Rio de Zhaneiros u kishte njohur krijuesve të sprajit të drejtën e autorësisë. Haine Allemagne ka treguar më parë detajet e çështjes: FIFA kishte lejuar edhe kompani të tjera të përdornin sprajin, pasi ai vetë kishte refuzuar një ofertë 500.000 dollarë nga federata që drejton futbollin botëror.

Allemagne ofroi 300 kanaçe spraj për Botërorin e Brazilit me logon e kompanisë së tij. Tani vjen fundi i historisë, me një gjobë të frikshme për FIFA-n dhe njohjen e 15 viteve punë për dy baballarët e kanaçes së sprajit.