Dy mace shtëpiake janë testuar dhe kanë rezultuar me koronavirus.
Ato jetojnë në zona të ndryshme në Nju Jork dhe të dyja ishin dërguar te veterineri pasi kishin probleme me frymëmarrjen.
Njëra prej maceve jeton në një qendër kafshësh, ku asnjë prej punonjësve nuk ka simptoma të virusit. Ndërsa pronari i maces së dytë u diagnostikua më vonë me COVID-19.
Mendohet se macet janë infektuar nga njerëz që janë prekur nga virusi. Të dyja kafshët pritet të shërohen plotësisht.
Në një deklaratë për mediat, kreu i Institutit Kombëtar të Sëmundjeve Infektive në SHBA, Antony Fauci u shpreh se edhe kafshët mund të infektohen, por nuk ka asnjë provë që virusi transmetohet nga një kafshë shtëpiake te njeriu.
Edhe me herët, 5 tigra dhe 3 luanë që jetojnë në kopshtin zoologjik në Bruklin janë konfirmuar me koronavirus.