Dy persona janë proceduar penalisht në gjendje të lirë nga Policia e Vlorës, pasi trafikuan në Shqipëri dy automjete luksoze që ishin të vjedhur në Itali.
Bëhet fjalë për dy fuoristrada Mercedes G Class, të cilat do të shiteshin në Shqipëri. Vlera e tyre përllogaritet në total rreth 280 mijë Euro.
Të proceduarit janë F. M., 33 vjeç banues në Lezhë dhe F. D. alias B. T., 32 vjeç, banues në Luz i Vogël, Kavajë.
Sipas policisë, nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas kanë trafikuar në Shqipëri automjete të vjedhura në shtete të ndryshme, kryesisht në Itali, duke iu bërë ndryshime në elementet identifikuese dhe duke i pajisur këto automjete, me dokumente false, me qëllim shitjen në vendin tonë.
Në drejtimin e Prokurorisë Vlorë vijojnë hetimet për zbardhjen e rasteve të tjera të trafikimit të automjeteve, që mund të kenë kryer këta shtetas.