Këtë ditë të enjte, Kryeministri Edi Rama e ka nisur me një kujtesë për të gjithë ata prindër që sjellin në jetë një fëmijë. Kryeministri thotë se me buxhetin e vitit 2021 qeveria do të mbështesë me 2 miliardë lekë familjet e reja, duke dhënë 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për fëmijën e dytë dhe 120 mijë lekë për fëmijën e tretë.
“Engjëjt e vegjël që vijnë në jetë në këto kohë sfiduese, bashkë me gëzimin e papërshkrueshëm për familjet e tyre, na kujtojnë se shpresa dhe jeta triumfojnë gjithmonë. Nuk e kemi ndalur për asnjë moment mbështetjen për familjet e reja që gëzohen me fëmijë, edhe në këtë vit të vështirë. Nga Janari, 28,813 të porsalindur kanë përfituar bonusin e bebes. Siç jemi zotuar, me #buxhetin2021 mbështesim me 2 miliardë lekë familjet e reja: 40,000 lekë për fëmijën e parë, 80,000 lekë për fëmijën e dytë, 120,000 lekë për fëmijën e tretë”, shkruan Rama në postimin e tij.