Në të gjithë Rripin e Gazës, më shumë se dy milionë banorë janë në rrezik, pasi furnizimi me ujë të pijshëm po mbaron, në mes të një bllokadë ndaj furnizimeve humanitare.
”Është bërë çështje jete a vdekjeje. Është një domosdoshmëri. Karburanti duhet të dërgohet tani në Gaza për të vënë në dispozicion ujin për dy milionë banorë”, tha Philippe Lazzarini, Komisioneri i Përgjithshëm i UNRWA-s.
Asnjë furnizim humanitar nuk është lejuar në Gaza që prej një jave.
Uji i pastër po mbaron në Gaza, pasi impianti i saj i ujit dhe rrjetet publike të ujit kanë pushuar së funksionuari.
Njerëzit tani janë të detyruar të përdorin ujin e ndotur nga puset duke rritur rrezikun e sëmundjeve që vijnë nga uji.
Gaza gjithashtu ka qenë nën ndërprerje të energjisë elektrike që nga 11 tetori duke ndikuar në furnizimin me ujë.
Në bazën e OKB-së në Rripin jugor të Gazës – ku UNRWA ka lëvizur operacionet e saj – uji i pijshëm gjithashtu po mbaron.
Mijëra njerëz kanë kërkuar strehim atje pasi Izraeli lëshoi një paralajmërim për banorët duke kërkuar që ata të largoheshin nga shtëpitë e tyre në pjesët veriore të Rripit.
Qindra mijëra njerëz janë zhvendosur brenda 12 orëve të fundit.
Eksodi vazhdon ndërsa njerëzit lëvizin në pjesët jugore të Rripit të Gazës.
Gati një milion njerëz janë zhvendosur brenda një jave.
”Ne duhet të dërgojmë karburant në Gaza tani. Karburanti është e vetmja mënyrë që njerëzit të kenë ujë të pijshëm të sigurt. Nëse jo, njerëzit do të fillojnë të vdesin nga dehidratimi i rëndë, mes tyre fëmijë të vegjël, të moshuar dhe gra. Uji tani është linja e fundit e mbetur e shpëtimit. Apeloj që tani të hiqet rrethimi për ndihmën humanitare”, shtoi Lazzarini.
Tre impiante të shkripëzimit të ujit, që më parë prodhonin 21 milionë litra ujë të pijshëm në ditë, nuk funksionojnë më.