Aktualitet Dy persona dhunojnë dhe i marrin paratë një emigranti nga Pakistani, arrestohen

Dy persona dhunojnë dhe i marrin paratë një emigranti nga Pakistani, arrestohen

Foto ilustruese

Dy persona janë vënë në pranga nga policia në Fier, pasi akuzohen se kanë mashtruar duke marrë në automjet një emigrant nga Pakistani, të cilin e kanë dhunuar dhe i kanë marrë paratë që kishte me vete.

Sipas policisë, dy personat e arrestuar dyshohet se kanë marrë në automjet nga Gjirokastra, 1 emigrant nga Pakistani duke e mashtruar se do ta transportonin në Shkodër, për të kaluar ilegalisht kufirin me Malin e Zi. Më pas ata e dhunuan, i morën paratë dhe e zbritën në rrugë në Fier.

“Morën në automjet 1 emigrant nga Pakistani, duke e mashtruar se do ta transportonin në drejtim të Shkodrës, me qëllim kalimin ilegalisht të kufirit për në Mal të Zi, por e dhunuan, i morën eurot që ky shtetas kishte me vete dhe e zbritën në Fier.

Policia brenda pak orësh identifikoi, kapi dhe vuri në pranga 2 autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale eurot që dy shtetasit i morën me dhunë emigrantit, dy celularë dhe automjeti me të cilin lëviznin dy shtetasit e arrestuar .

Shërbimet e Policisë pas njoftimit të marrë nga spitali rajonal i Fierit, se ishte paraqitur për të marrë mjekim, 1 shtetas i huaj, i dhunuar, menjëherë kanë organizuar punën për zbardhjen e këtij rasti.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, të kryera është bërë e mundur që brenda pak orësh, të zbardhej dinamika e ngjarjes, identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorëve të dyshuar, N. S., 21 vjeç, banues në Mallakastër dhe E. Ç., 26 vjeç, banues në Fier.

Këta 2 shtetas dyshohet se kanë marrë në automjet nga Gjirokastra, 1 emigrant nga Pakistani duke e mashtruar se do ta transportonin në Shkodër, për të kaluar ilegalisht kufirin me Malin e Zi. Më pas ata e dhunuan, i morën paratë dhe e zbritën në rrugë në Fier.

Shtetasi nga Pakistani ka marrë asistencë mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.