Drejtoria e Policisë në Fier ka realizuar një operacion antidrogë. Drejtori Lorenc Panganika bëri me dije në një konferencë për shtyp se në kuadër të aksionit të koduar “Vakumi” janë arrestuar dy persona, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim si organizator i kësaj veprimtarie kriminale.
Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar 30 kilogramë kanabis dhe 500 gramë kokainë. Trafikimi i drogës do të bëhej drejt Greqisë.
“Është kryer kontroll në banesën e shtetasit E.M dhe në automjetin e dyshuar që do të bënte transportin e lëndës narkotike. Rezultoi që në dysheme, në hapësirën e përgatitur posaçërisht në këtë automjet u gjetën 30 kilogramë lëndë narkotike kanabis dhe 500 gramë lënë narkotike kokaine. Lënda narkotike ishte e ndarë në pako dhe e presuar me qëllim trafikimin drejt shtetit grek”, njoftoi policia.
Pas kontrolleve në banesë gjetën 3 peshore elektronike, mjete ambalazhi, mjete që shërbenin për presimin e lëndëve narkotike etj. Për këtë arsye u bë arrestimi në flagrancë i P.Sh 43 vjeç dhe O.M, 71 vjeç, të dy banues në fshatin Cakran për prodhim dhe shitje narkotike dhe mbajtja e transportimi i substancave kimike.
Vijon puna për kapjen e E.M. Policia njoftoi se po vijojnë hetime për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë veprimtari kriminale.