Aktualitet Dy telefona celularë, hetuesit gati të bindur për jetën e dyfishtë të...

Dy telefona celularë, hetuesit gati të bindur për jetën e dyfishtë të shqiptarit që u masakrua në Itali

Kur po bëhen 3 javë nga vrasja e shqiptarit Bledar Dedja në Treviso të Italisë, autoritetet atje nuk kanë ende një autor të dyshuar, ndërsa hetimet janë fokusuar gjithnjë e më shumë tek jeta e dyfishtë e 39-vjeçarit.

Por cilat janë zhvillimet e reja në lidhje me këtë ngjarje?

Ai kishte dy telefona celularë, njëri prej të cilëve përdorej për takimet e fshehta. Më 12 shkurt, njësia speciale Ris, e mbërritur nga Parma, do të nisë ekzaminimin e rrobave që mbante veshur dhe që u gjetën në vendin e vrasjes, ashtu sikurse makinën e tij, çelësat origjinale të së cilës nuk janë gjetur ende.

Ndërkohë hetimet janë fokusuar në “jetën e dyfishtë” të 39-vjeçarit, i cili u gjet i vrarë mëngjesin e 21 Janarit në një pyll të izoluar në Paderno del Grappa. Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, hetuesit duken mjaft të bindur se 39-vjeçari kishte një takim me vrasësin.

Me shumë mundësi një takim “të veçantë”, aq sa Dedja u përpoq ta mbulonte duke thënë se do takohej me disa miq.

Për këtë arsye aktualisht po analizohet aparati i dytë celular që ishte në pronësi të tij. Një celular për të cilin askush nuk kishte dijeni, e ku prokurorja Barbara Sabattini shpreson që të gjejë të dhëna për të dyshuarit. Ka mundësi që 39-vjeçari e ka përdorur këtë telefon për të krijuar njohje të reja në aplikacionet erotike dhe për takime.

Me gjasë me këtë telefon ka lënë edhe takimin asaj të shtune ku gjeti vdekjen, i goditur 20 herë me thikë. Por telefoni është i mbrojtur me pin dhe për ta zhbllokuar është marrë një ekspert.

Po sipas asaj që raportojnë mediat fqinje, bashkëshortja e Bledar Dedjas, me të cilën kishte 2 fëmijë, kishte dyshimet e saj për jetën sekrete të bashkëshortit. Ndaj disa vite më parë kishte pajtuar një detektiv privat për të mësuar të vërtetën. Nga ai moment raportet bashkëshortore ishin ftohur.

Megjithatë, sot familja dhe miqtë e tij kërkojnë të mësojnë të vërtetën për vrasjen e 39-vjeçarit.