Dy turistë holandezë u shpëtuan nga policia pasi mbetën të bllokuar në një terren të thepisur dhe me dëborë në mes të Malit të Jezercës dhe Bjeshkëve të Nemuna.
Turistët kërkuan ndihmë në sallën operative të Komisariatit të Policisë Tropojë rreth orës 12:15.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë kanë organizuar punën dhe kanë nisur kërkimet, me qëllim lokalizimin e turistëve.
Pas disa orësh kërkime nga shërbimet e policisë, turistët u lokalizuan në një zonë mes malit të Jezercës dhe Bjeshkëve të Nemuna.
Ata u shoqëruan nga punonjësit e policisë për disa orë me këmbë, në një terren shumë të rrezikshëm për jetën dhe pas mbërritjes në një terren ku mund të ulej helikopteri, u transportuan me një helikopter të Ministrisë së Mbrojtjes në vendin ku ishin akomoduar.
Të dy turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore.