Aktualitet Dy vëllezër shqiptarë drejtues të rrjetit të drogës, zbulohet nëndetësja dron, 9...

Dy vëllezër shqiptarë drejtues të rrjetit të drogës, zbulohet nëndetësja dron, 9 të arrestuar në Shqipëri e Itali

Karabinierët e njësisë hetimore të komandës të Torinos zhvilluan një operacion të gjerë antidrogë në provincat e Torinos dhe Frosinones, si dhe në territorin shqiptar në fund të të cilit u arrestuan 9 persona

Në kuadër të operacionit ‘Lavazhi’, pasi e ka origjinën nga hetimet ndaj drejtuesve të lavazheve që menaxhonin në mënyrë të paligjshme disa plantacione marijuanë, hetuesit zbuluan një organizatë kriminale me bazë logjistike në Volvera, ku në vitin 2022 ishte arrestuar një 62-vjeçar me 200 kilogramë drogë të fshehura në shtëpinë e tij.

Grupi vepronte midis Ekuadorit, Belgjikës, Francës, Spanjës dhe Italisë dhe dyshohet se furnizonte qendrat kryesore italiane të trafikut të drogës me sasi të konsiderueshme kokaine, hashashi dhe marihuane.

Sipas gjetjeve të karabinierëve, organizata drejtohej nga dy vëllezër me origjinë shqiptare, të cilët, duke shfrytëzuar burime të konsiderueshme financiare, rekrutuan ‘punëtorët e drogës’ në Itali dhe Shqipëri.

Trafikantët, ndër të tjera, kishin projektuar dhe testuar një nëndetëse të vogël, e cila mund të pilotohej nga distanca, ndoshta për qëllime transporti droge. Mjeti lundrues nuk ishte vënë ende në funksion, teksa po kryente testime në Liqenin e Madh në Avigliana.

Gjatë hetimeve, të kryera nga nëntori 2021 deri në fund të vitit 2022, hetuesit kapën disa ngarkesa droge dhe sekuestruan mbi 204 kilogramë, përfshirë kokainë, hashash dhe marihuanë.

Kokaina ka shumë të ngjarë të ketë mbërritur në Itali nga Amerika e Jugut, duke kaluar përmes Holandës, ndërsa pjesa tjetër ka kaluar përmes Spanjës dhe Francës, duke përdorur makina të pajisura me dysheme të bëra vetë.