Bota Dy vite luftë, liderët perëndimorë në Kiev: Jemi me ju deri në...

Dy vite luftë, liderët perëndimorë në Kiev: Jemi me ju deri në fund

Katër liderë perëndimorë mbërritën sot në Kiev, për tu solidarizuar me Ukrainën në përvjetorin e dytë të luftës ruse, që u ka marrë jetën dhjetëra mijëra njerëzve dhe ka dërrmuar ekonominë në vend.

Kryeministrat e Italisë, Kanadasë, dhe Belgjikës,  Giorgia Meloni, Justin Trudeau dhe Alexander De Croo – udhëtuan me tren nga Polonia, së bashku me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

Prania e tyre synon të tregojë angazhimin e perëndimit për të vijuar mbështetjen për ukrainën, edhe pse përballet me mungesa në rritje të armatimeve.

Von der leyen shkroi në platformën sociale X se gjendej në Kiev për të ti bërë homazh rezistencës së jashtëzakonshme të popullit Ukrainës.

“Më shumë se kurrë qëndrojmë pranë Ukrainës. Financiarisht, ekonomikisht, ushtarakisht dhe moralisht”, ishte mesazhi i saj.

Meloni dhe Trudeau pritet të nënshkruajnë pakte të sigurisë me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski gjatë qëndrimit të tyre të shkurtër, në një linjë me ujditë e dakordësuara së fundmi me Francën dhe Gjermaninë, me vlerë miliarda euro.

E megjithatë ndihma prej 61 miliardë dollarësh e premtuar nga presidenti amerikan Joe Biden, mbetet e bllokuar në kongres, duke hedhur hije mbi shpresat e Kievit për sprapsje të ushtrisë së mirarmatosur të Rusisë.

Biden pritet të marrë pjesë në një video-konferencë të liderëve të vendeve të G7-s, që do të kryesohet nga Meloni. Bisedimeve do t’u bashkohet edhe Zelensky.