Prej rreth 3 vitesh, Klement Balili i shpëtoi 13 aksioneve të Policisë së Shtetit për ta çuar pas hekurave dhe me të drejtë u “pagëzua” me nofkën “Magjistari” nga ish-ambasadori i SHBA, Donald Lu.
Pronari i resortit luksoz “Santa Quaranta” në Sarandë dhe ish-drejtori i Transporteve në qytetin bregdetar ka ndryshuar jo pak, nga koha kur gëzonte privilegjet e një pune si zyrtar shtetëror e sipas DEA-s amerikane kryente edhe trafik droge në Ballkan.
Në disa foto të publikuara nga gazetari i kronikës Artan Hoxha në Facebook, që sipas tij janë kryer disa orë para dorëzimit të Balilit në polici, shihet se “Eskobari” është transformuar.
Pamja e tij ka ndryshuar, me Balilin që duket i zbehur në fytyrë dhe me më pak kilogramë sesa më parë.
Ndërkohë gazetari Hoxha ka folur për “Report TV”, duke rrëfyer se një nga arsyet e mos arrestimit të Balilit deri më sot ka qenë edhe ndryshimi në pamjen e tij.
“Unë e kam marrë në intervistë Klement Balilin. Ndryshon shumë, me intervistën që kam bërë në maj 2016, nuk ishte e lehtë ta njihje. Klement Balili nuk është larguar nga Shqipëria, pamja e ka bërë të vështirë ta njihnin. Një njeri kaq i kërkuar nga agjencitë ligjzbatuese, agjencitë e huaja. Imazhi i tij kishte ndryshuar dhe kjo e ka ndihmuar të ishte një njeri i vështirë për t’u kapur”, tha Hoxha.
Gazetari ka treguar se e ka pyetur Balilin edhe se si i ka mbijetuar operacioneve të policisë, teksa e kërkonin edhe në 178 vende të botës.
“Unë jam ai Eskobari i madh që ti vazhdimisht ke denoncuar, që ju më keni bërë Eskobar”, i është përgjigjur ai.