Interi zyrtarisht në krizë. Zikaltrit pësojnë humbjen e katërt në 8 ndeshje të kampionatit, teksa pasditen e sotme janë mposhtur me rezultatin 1-2 nga Roma.
Në “San Siro” të gjithë prisnin kthesën e madhe, por skuadra e Inzaghit bëri sërish të njëjtin gabim, pasi ashtu si ndaj Milanit e Udineses, kaloi e para në avantazh dhe në fund doli pa pikë.
Dimarco zhbllokoi sfidën pas një aksioni mjaft të bukur, megjithatë më pas ishte Dybala ai që riktheu baraspeshën, me një goditje spektakolare.
Pjesa e dytë solli një Inter kërkues, teksa Calhanoglu goditi traversën dhe Asllani gjeti rrjetën e jashtme, megjithatë në momentin më të mirë të zikaltërve, ishte Roma që shënoi edhe golin e dytë me Smalling, që u harrua i vetëm në shtyllën e dytë.
Vërshëllima finale la në fuqi fitoren e Romës 1-2. Kjo humbje rëndon shumë për zikaltërit dhe për pankinën e Inzaghit që tashmë ndodhet në shënjestrën e drejtuesve.
Nota e vetme pozitive e Interit nga kjo humbje është vetëm Kristjan Asllani, i cili luajti për herë të parë si titullar dhe qëndroi në fushë për plot 80 minuta, duke treguar një saktësi 98% në pasime, rikuperuar disa topa dhe madje “flirtuar” me golin.