Paulo Dybala nuk po kalon një moment të lehtë, veçanërisht në Champions League ku nuk shënon që nga prilli i kaluar.
Sulmuesi argjentinas i Juventus ka dhënë një intervistë për “Vanity Fair” ku ka thënë se: “Zoti na bën një dhuratë, më pas ajo dhuratë duhet ruajtur. Kam parë shumë fenomenë në ekipet e moshave, të rinj për të cilët thuhej: ‘Sikur të kishte kokën në vendin e duhur, mund të ishte Maradona ose Messi’. Unë kam punuar për të shmangur pikërisht këtë”.
TOPI I ARTË – “Kur mblidheshim rreth zjarrit, në fëmijëri, gjatë verës, kam shprehur dëshirën që të fitoja Topin e Artë. Do të ishte një mesazh shumë i rëndësishëm për shumë fëmijë, për të gjithë ata që kanë lindur në një vend të vogël, që mund të shpresojnë të rrëfejnë një histori si kjo e imja. Kombëtarja? Më kanë kërkuar të luaj për Italinë dhe unë jam ndier i vlerësuar. Isha 19 vjeç dhe nuk ka qenë e lehtë të thoja ‘jo, faleminderit, por jam argjentinas dhe do të kishte qenë një mashtrim”.
“JOYA” DHE DHIMBJE – “Babai im, Adolfo, ka vdekur për shkak të një tumori, kur unë isha 15 vjeç. Ka qenë një dhimbje shumë e madhe, nuk arrija të luaja dhe skuadra më ka dërguar në shtëpi për pak kohë. Gjashtë muaj ishin shumë pak dhe kisha dëshirë të hiqja dorë nga gjithçka. Ndoshta një ditë do të takohem me të, ndoshta jo, por për babanë mendoj gjithmonë dhe atij ia dedikoj të gjithë golat e mi. Ne futbollistët jemi shumë të lumtur kur kemi një top mes këmbëve. Ajo që ndodh në prapaskenë, shpesh nuk është shumë e bukur. Si është një futbollist kur arrin në nivelin që kam arritur unë? Shpesh, një njeri i vetmuar”.