Politika Dyshim dhe pasiguri, Fatos Nano: Si i merrja vendimet kur isha Kryeministër

Dyshim dhe pasiguri, Fatos Nano: Si i merrja vendimet kur isha Kryeministër

Fatos Nano ka qenë një nga figurat kryesore të historisë së Shqipërisë në vitet e para të demokracisë. Ai ka qenë dy herë Kryeministër i vendit, dhe zgjedhjet që duhet të ndërmerrte në atë periudhë të vështirë për Shqipërinë, nuk kanë qenë të lehta.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Fatos Nano e ka nisur rrëfimin e tij nga vitet e para të kapitalizmit, dhe thotë se Shqipëria nuk ka qenë gati të përballonte pasoja e zhvillimit të kapitalizmit. Dhe sipas tij, barrën më të madhe e mbajnë pasojat që ka shkaktuar diktatura tek njerëzit.

Blendi Fevziu: Ky është problemi që diskutohet më shpesh. Shoh shpeshherë komentet në rrjetet sociale. Ju e dini që bota ka ndryshuar, me rrjetet sociale gjithkush ka mundësi të shprehë, dhe duket që ka një zhgënjim të madh. Ndërkohë që ka shumë njerëz që kanë qenë dhe këtu në studio që kanë qenë protagonist që thonë jemi pak a shumë aty ku duhet të ishim. Pra nisja ishte thuajse nga zero. A keni një gjykim të kësaj? A kishim realisht kaq mundësi për të ecur?

Fatos Nano: Natyrisht shumë gjëra kanë ndryshuar. Shumë gjëra mund të bëheshin ndryshe. Ndërkohë mos harrojmë që zhvendosja e madhe historike nuk ka precedentë, nuk ka një doktrinë se si duhej të bëhej ndryshe. Ka eksperimente, ka përvoja në varësi të shkallëve të zhvillimit të një vendi apo tjetrit, dhe sot ka nivele të ndryshme zhvillimi apo integrimi, por problemet në thelb janë po ato, në të gjithë shoqëritë e ish-Lindjes. Veçanërisht polariteti i madh social, pasuror dhe ajo që është vuajtja më e madhe e këtyre shoqërive, tek ne është shumë e thellë, mospërgatitja për të përballuar gjithë dinamizmin dhe pasojat e zhvillimit kapitalist.

Blendi Fevziu: Përse ishim të paaftë ne ta përballonim këtë pasojë të kapitalizmit?

Fatos Nano: Ne kemi pasur një ndërprerje të madhe historike jo vetëm me ndalimin e fesë, edhe me ndalimin e zhvillimit të borgjezisë, dhe me ndërprerjen e filizave të para të kapitalizmit në periudhën e Luftës së Parë dhe para Luftës së Dytë Botërore. Për pasojë është një vakum i madh në memorjen tonë shoqërore dhe kombëtare që komunizmi e mbushi me lloj-lloj gjërash, të cilat ishin kaq pjellore si puna e ferrave në një arë me grurë, që dhe sot e kësaj dite është vështirë që njerëzit t’i heqin nga të paktën terminologjia. Të gjitha këto rrënjët i kanë në një formim të deformuar. Padyshim që kjo ka përbërë pengesën kryesore për të qenë pa paragjykime, më të hapur dhe më bashkëpunues, jo vetëm me botën por edhe me njëri-tjetrin.

Blendi Fevziu: A e ke ndjerë këtë paragjykim dhe tek vetja? Edhe pse njerëzit e formuar arrijnë ta kontrollojnë dhe arrijnë ta kuptojnë, por a jeni ndjerë dhe vetë pre e një paragjykimi?

Fatos Nano: Po, edhe kështu mund ta themi por ajo që ndjen më shumë njeriu tek vetja është pasiguria. Pasiguria ndaj asaj që vjen pas, ndaj hapit që duhet hedhur. Ndaj zgjidhjes që ke gjetur. Po flas në nivelet e mia, zgjidhjet që duhet të gjeja unë ishin më gjithëpërfshirëse dhe sa më pak përjashtuese. Pra dyshimi dhe pasiguria nëse efekti do të ishte i duhuri dhe në masën e duhur.

Blendi Fevziu: Dhe si i keni marrë këto vendime shpeshherë, duke pasur këtë pasiguri edhe mungesë eksperience?

Fatos Nano: Të them sinqerisht se si janë marrë, natyrisht nuk janë marrë në boshllëk, janë marrë në një sfond formimi kulturor të mirë. Kam parasysh që njeriu kur është i lexuar, kur është i hapur, kur është minimalisht i shëtitur ose në kontakte me botën që e rrethon, është në gjendje të bëjë përshtatje apo krahasime apo konsultime. Dhe unë kam qenë i parimit që ne nuk na lejohet të shpikim zgjidhje, ne na duhet të adoptojmë në mënyrën më të mirë të mundshme në kushtet tona zgjidhjet që bota i ka vërtetuar si të suksesshme.

Blendi Fevziu: Kur merrje vendime, të cilat ishin inovatore ose që kishin një impakt të fortë dhe vepronit në një terren që nuk ishte i përgatitur për këto zgjidhje që kishte paragjykime, kishte një mendësi të vjetër, gjë që ne e dimë, mendësia e shoqërisë shqiptare ka qenë problemi kryesor i zhvillimit më tej, a kishe shqetësim me veten kur kuptoje që nuk kuptoheshe dot, nuk kuptonin ose që keqkuptonin një zgjidhje që më pas mund të jepte efekte pozitive.

Fatos Nano: Të gjitha këto nuk përjashtohen dot. Por ka disa gjëra që dhe ne duhet t’i bënim sepse ishin standardet e kapitalizmit. Privatizimi për shembull. Kthimi i pronës tek i zoti i ligjshëm. Zhvillimi i ekonomisë së tregut nga përmasat e vogla deri tek ato që kanë mbërritur sot. Të gjitha këto nuk mund të diskutoheshin, duheshin bërë. Ajo që ishte në diskutime midis nesh, bile dhe në diskutime midis palëve mazhorancë apo dhe opozitë, ishte shpejtësia, fazat, shtrirja dhe kosto natyrisht duhet llogaritur. Kështu që të gjitha këto kanë pasur paragjykime brenda, kanë pasur nivele të ndryshme kulturore, nivele të ndryshme formimi, dikush i gëlltiste më shpejt, dikush me vështirësi. Dhe në fund të fundit kjo ka sjellë atë ritëm që ju e cilësoni të ngadalshëm, që na ka lënë të fundit në shumë gjëra.

Blendi Fevziu: Po na ka lënë për hir të së vërtetës në raport, por që ka dhe një zhvillim. Mbaj mend që kur ju keni qenë Kryeministër herën e parë, Maqedonia dukej një vend europian, shumë më i zhvilluar se Shqipëria. Sot nuk ka më të njëjtat diferenca kur shkon atje.

Fatos Nano: Maqedonia dukej vend europian sepse ishte i hapur para nesh, por unë në rrugën e parë që kam bërë në Maqedoni kam parë që nuk ishte shumë larg nesh. Takon njerëz, sa të përgatitur janë, sa të shëtitur janë etj. Pra nuk kemi qenë shumë larg nga fqinjët. Kemi qenë më të papërgatitur për të lëvizur më gjerë se sa kufiri.

Blendi Fevziu: Kaq e madhe ishte kosto e mbylljes dhe kaq shumë na peshon akoma?

Fatos Nano: Nuk besoj se mund ta diskutojmë më këtë gjë, është shumë e madhe.