Mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti ka analizuar situatën e COVID-19 në Shqipëri dhe ngre disa pikëpyetje. Në një reagim në mediat sociale, mjeku shkruan se ka dyshime të mëdha që ka mungesë transparence për situatën e COVID-19.
Fillimisht ai bën një analizë të asaj që po ndodh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po ashtu është rritur numri i të infektuarve por jo i viktimave prej koronavirusit.
“Pse po ndodh kjo? Për shumë arsye: Janë shtuar numrat e të testuarve. Po ekzaminohen shumë persona të rinj dhe pa sëmundje, që edhe pse dalin pozitivë nuk do të kenë asnjë problem. Është përmirësuar protokolli i trajtimit, duke shtuar mjekime që funksionojnë me të vërtetë dhe duke hequr barna të dëmshme si klorokina.
Ngarkesa virale është më e ulët në tamponet që rezultojnë pozitive. Të gjitha këto të dhëna shkojnë në linjë me paradoksin ndërmjet kurbës së rasteve të reja dhe kurbës së vdekjeve. Nga ana tjetër duhet të themi, që për siguri duhet të presim edhe rreth 5-10 ditë, pasi siç e dimë nga zbulimi deri në vdekje nevojiten disa ditë” – thotë mjeku që më pas analizon atë që po ndodh në Shqipëri.
“Po të vëreni me kujdes kurbat shqiptare të rasteve të reja dhe të vdekjeve do të vini re se rastet shoqërohen pothuajse menjëherë me vdekje, pra nuk qëndron ajo pritja me 5-10 ditë që u tha më lart.
Pse kjo çudi shqiptare? Mundësia më e madhe është se shumica dërrmuese e këtyre vdekjeve kanë ndodhur në pacientë spitalorë të shtruar me sëmundje të tjera të rënda.
Si rrjedhojë, koha ndërmjet tamponit pozitiv dhe vdekjes është më e shkurtër se sa mund të pritej pasi pacienti është në gjendje të rëndë që në fillim nga sëmundjet e mëparshme, pa lidhje me COVID-19. Kujtoj se nuk ka asnjë komunikim zyrtar mbi numrin total të pacientëve të infektuar nëpër spitale dhe ecurinë e tyre. Të dhënat që kemi janë përmes kolegëve mjekë dhe burimeve mediatike.
Tjetra mundësi, më pak e mundshme, është se këta pacientë janë testuar vonë gjatë ecurisë së sëmundjes, si rrjedhojë nuk kanë pasur mundësi për trajtim sa më herët”, thotë mjeku që më pas bën edhe disa sugjerime.
“Kjo është arsyeja pse nevojiten sa më shumë testime, që pacientët të zbulohen sa më herët dhe të trajtohen sa më shpejt. Tjetër element: në Shqipëri nuk janë dhënë kurrë të dhëna mbi nivelin e ngarkesës virale në tampone. Si rrjedhojë, nuk mund t’i analizojmë këto të dhëna. Kështu që miqtë e mi, mos lini zhurmën t’ju çorientojë, por përqendrohuni te sinjali i vërtetë. Në nivel komunitar, rastet e reja po shtohen, si në SHBA! Gjithashtu, edhe vdekjet në nivel komunitar nuk kanë rritje, si në SHBA! Rritja është në nivel spitalor. Ndërkohë, patjetër mundohuni të mbani distanca fizike dhe ruani higjienën”, përfundon ai.