Në hetimet për vdekjen e 4 turistëve rusë do të përfshihet edhe ushtria shqiptare.
Sipas prokurorisë shtetasit rusë kanë humbur jetën prej asfiksimit, megjithatë prokuroria po heton lidhur me dyshimin e vrasjes, për të cilën ka ngritur dhe akuzën.
Ngjarja ndodhi më 15 tetor, kur shtetasit rusë u gjetën të vdekur në një hotel në Kavajë.
“Duke qenë se ka dyshime të arsyeshme lidhur me këtë ngjarje që Prokuroria e Kavajës e ka regjistruar si vrasje, grupi i hetimit ka kërkuar ndihmën e Ministrisë së Mbrojtjes, ku kërkon zhvillimin e një eksperimenti të laboratorit për elementët e jashtëm biologjik apo për armë kimike pranë forcave të armatosura,” raportoi gazetari i Euronews Albania, Eni Ferhati.
Sipas burimeve të Euronews Albania eksperimenti në ambientet e SPA-së të hotelit në fjalë do të zhvillohet në ditët në vijim, për t’i dhënë fund misterit nëse ka përfshirje të shërbimeve të huaja.
Gazetari shtoi se dyshimet e prokurorisë janë rritur duke marrë parasysh të shkuarën e kryefamiljarit rus, i cili ka qenë kolonel në shtetin rus.
Burimi: Euronews Albania