I dyshuari i tretë për përfshirjen në masakrën e ndodhur në qytetin e Lushnjës dy ditë më parë, është vetëdorëzuar në Polici.
Julian Sula, i njohur me nofkën “Juli i Pashakos”, është dorëzuar pas një kontrolli që policia ka ushtruar në banesën e tij.
Ai dyshohet se është i përfshirë në atentatin e ndodhur në Lushnjë, më 11 tetor, ku mbetën të vrarë dy të rinj, ndërsa u plagosën dy të tjerë.
Julian Sula, i cili njihet si biznesmen në qytetin e Lushnjës, është shoqëruar në komisariat dhe po merret në pyetje në lidhje me ngjarjen.
Pasditen e 11 tetorit, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Urës së Përroit” në Lushnjë, u ekzekutuan Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi, si dhe u plagos miku i tyre Marius Xhepexhiu, ndërsa i shpëtoi mrekullisht plumbave Saimir Xhelili.
Policia thotë se ka identifikuar autorët, ata dyshohet të jenë Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili.
Hetuesit besojnë se masakra vjen si pasojë e hakmarrjes midis grupeve rivale. Por ka dyshime për atentat të organizuar.
Autorët pasi vranë të rinjtë, deshën të zhduknin gjurmët dhe dogjën makinën pranë fshatit Çukas në rrugën e vjetër Lushnjë-Berat