Atentati ndaj Bardhok Pllanajt ka qenë i mirëmenduar nga autorët. Nisur edhe nga dëshmitë e familjarëve hetuesit dyshojnë se ai u nxor në pritë nga persona të njohur prej tij mbrëmjen e së dielës.
Burime nga grupi hetimor thanë se familjarët e 46-vjeçarit janë shprehur se Pllanaj mori një telefonatë përpara se të dilte nga shtëpia rreth orës 21:10 të mbrëmjes. Për këtë arsye hetuesit kanë sekuestruar të 2 telefonat që viktima posedonte, të cilët pritet të ekzaminohen në ditët në vijim për shkak se janë të dy janë të bllokuar me kod. Njëri prej telefonave është dëmtuar nga plumbat ndërsa tjetri është i paprekur.
Nga ana tjetër policia dhe prokuroria kanë sekuestruar kamerat e sigurisë në vendin e ngjarjes, ndërsa pritet që të zgjerohet rrezja për të përcaktuar itinerarin që ka ndjekur automjeti i autorëve. Hetuesit kanë zbardhur ndërkohë pamjet e një kamera sigurie në afërsi të spitalit, ku Pllanaj është fiksuar pas vizitës që i bëri nënës.
Dyshimet janë se Pllanaj është ndjekur që në atë moment. Të njëjtat burime thanë se në atentat kanë marrë pjesë 4 persona. Automjeti i përdorur prej tyre rezulton i vjedhur në kryeqytet me 29 janar ndërsa targat italiane janë të çregjistruara më herët. Hetuesit po ekzaminojnë edhe 2 armët kallashnikov që u gjetën brenda makinës së djegur. Pistat ku po hetohen janë konfliktet për shkak të pazareve të paligjshme, raporton Tv Klan.