Aktualitet Dyshohet se organizon trafikun ndërkombëtar e kokainës nga qelia në Ekuador, publikohen...

Dyshohet se organizon trafikun ndërkombëtar e kokainës nga qelia në Ekuador, publikohen fotot e Dritan Rexhepit

Interpol ka publikuar fotografitë nga brenda burgut në Ekuador të Dritan Rexhepit, i dyshuari kryesor për trafikimin e kokainës në Europë nga Amerika Latine, pjesë e organizatës kriminale të emërtuar “Kompania Bella”.

Rexhepi, i cili kërkohet edhe nga drejtësia italiane, ajo spanjolle dhe shqiptare, dyshohet si drejtuesi i rrjetit të trafikut të kokainës drejt Europës, rrjet i shkatërruar pak javë më parë nga një operacion i Europol, ku u përfshi ndër të tjera edhe Policia e Shtetit. Ai është arrestuar në vitin 2014 me 240 kg kokainë në Ekuador, por dyshohet se drejtonte nga qelia operacionet e trafikut të kokainës.

Gjatë zhvillimit të operacionit “Los Blancos”, u vunë në pranga 20 persona, mes të cilëve edhe 5 shqiptarë, të cilët akuzohen se organizonin transportin dhe më pas shpërndarjen e kokainës. Në total, gjatë operacionit u sekuestruan 4 tonë kokainë dhe 5,5 milionë euro.

Rexhepi është edhe në listën e personave më të kërkuar në Shqipëri, pasi në 6 janar 1999, në Krujë, ka vrarë me armë zjarri dy persona, vepër për të cilën është dënuar me 25 vjet burg nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë. Ai akuzohet edhe për porositjen e pengmarrjes së Jan Prengës, i cili më pas u gjet i pajetë, për një pazar të prishur droge.