Një tjetër iranian i dyshuar për veprimtari agjenturore kundër muxhahedinëve në Shqipëri është shpallur i padëshiruar nga autoritetet tona dhe pritet që të dëbohet nga vendi në orët në vijim.
Personi në fjalë quhet Dabiel Kassraee me kombësi iraniane dhe me shtetësi italiane. 29-vjeçari dyshohet se është agjent me veprimtari spiunazhi i infiltruar nga Ministria e Inteligjencës Iraniane.
Sipas raportit të Agjentëve të anti-terrorit ky shtetas është klasifikuar si një person i rrezikshëm dhe që cënon sigurinë publike.
Urdhri për dëbimin e tij është firmosur nga ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj me vendim nr.172 dhe pritet që të dërgohet në orët në vijim drejt Italisë.
29-vjeçari Dabiel Kassraee është shfaqur shpesh herë në kampin e Muxhahedinëve në Manzë të Durrësit. Për llogari të shtetit të Iranit, Kassraee ka tentuar të rekrutojë ish-anëtarë të MEK apo anëtarë aktual të kësaj organizate.
Aktualisht 29-vjeçari ndodhet në një kamp në Vorë dhe pritet që të dëbohet në orët në vijim.
Fillimisht në vitin 2012 e më pas në vitin 2016 Shqipëria, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u zotua të strehojë rreth 3 mijë anëtarë të organizatës Mojahedin-e-Khalq, njohur ndryshe me akronimin MEK (Organizata Popullore e Muxhahedinëve të Iranit).
Kjo organizatë, e cila nga Irani dhe Iraku konsiderohen si organizatë terroriste, është e njohur për aktivitetin e saj politik kundër regjimit të Teheranit.
Strehimi i tyre në Shqipëri ka ekspozuar vendin përballë nismave të ndryshme agjenturore, por dhe terroriste.
Prej vitit 2016 autoritetet kanë dëbuar 4 diplomatë iranianë, ndërsa në të paktën 2 raste ka pasur dyshime të arsyeshme për organizime të mundshme atentatesh terroriste kundrejt tyre.
Në mars dhe tetor të vitit 2019, policia deklaroi se kishte mundur të zbulonte dhe parandalonte aktivitetin e një rrjeti terrorist që përbëhej nga 4 iranianë dhe që kishte lidhje me Gardën Islamike Revolucionare të Iranit.
Policia deklaroi asokohe se grupi synonte të kryente akte terroriste gjatë festimeve të Novruzit, festime të cilat ndiqen nga pjesa kryesore e anëtarëve të MEK-ut.