Policia e Kosovës ka arrestuar një person dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, të dyshuar si të përfshirë për vrasjen e një 18-vjeçareje. Hetimet nisën pasi të dielën pasdite, trupi i pajetë i një vajze ishte dërguar nga dy persona në Urgjencën e Ferizajt, të cilët pastaj ishin larguar në drejtim të panjohur.
Tani, ngjarja po hetohet si vrasje dhe, pasi hetuesit arritën të identifikonin të dyshuarit dhe të arrestonin njërin prej tyre. Në pranga ka përfunduar një 32-vjeçar, ndërsa në kërkim është shpallur 29-vjeçari Dardan (Emrush) Krivaqa. Policia ka publikuar foton e tij në Facebook, ndërsa në mediat e Kosovës raportohet se Krivaqa ishte i martuar prej pak muajsh me viktimën.
Prokuroria e Ferizajt tha gjithashtu se i akuzuari kryesor për vrasjen, Krivaqa, dyshohet se për motive të dobëta, e ka keqtrajtuar fizikisht të ndjerën M.O., e cila si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë.
I dyshuari kryesor për vrasjen e 18-vjeçares, Dardan Krivaqa është emër i njohur për policinë, derisa edhe në rrjete sociale ai vazhdimisht kishte postuar fotografi me armë ku promovonte dhunën.
Gjithashtu edhe të rinjtë Ferizajas kanë vërshuar me komente në rrjete sociale duke treguar se Krivaqa ka qenë njeri i dhunshëm, derisa policia ka kërkuar bashkëpunim të qytetarëve për vendndodhjen e tij.
Mësohet se avokati të cilit i ishte caktuar detyra zyrtare ka refuzuar të mbrojë tashmë të arrestuarin A.Sejdiu për shkak të rastit të ndjeshëm.