Southampton kërkon të gjejë një zgjidhje përfundimtare për Armando Brojën, të cilin do të donte ta mbante në skuadër edhe sezonin e ardhshëm. Por trajneri Ralph Hassenhuttl pranon se klubi e ka të vështirë të gjejë dikë te Chelsea me të cilin të bisedojë për këtë çështje.
“Jemi duke e diskutuar këtë temë për momentin”, tha Hasenhuttl për situatën e Brojës. “Të gjithë e dimë si janë punët te Chelsea dhe që ka shumë ndryshime atje. Për momentin nuk është e lehtë të gjesh njeriun e duhur për të folur për të ardhmen e lojtarëve. Ndoshta do të jetë më e lehtë të përqendrohemi tek puna jonë, të bëjmë një punë të mirë deri në fund të sezonit. Kjo na ndihmon edhe ne, edhe atë. Sa më lart të përfundojmë në renditje, aq më tërheqës bëhemi si klub për lojtarët dhe ky është synimi që kemi në 7 ndeshjet e ardhshme”.
Sulmuesi i Shqipërisë ka shënuar 9 gola në të gjitha kompeticionet këtë sezon, ku është huazuar te Southampton nga Chelsea. Por në dy muajt e fundit nuk ka arritur të gjejë golin në Premier League. Broja u la jashtë humbjes 6-0 kundër Chelsea-t javën e kaluar, për shkak të klauzolës në kontratën e huazimit, por pritet të rikthehet titullar këtë fundjavë në sfidën kundër Arsenal.
“Broja në formën e tij më të mirë mund të na ndihmojë shumë”, tha trajneri. “Por e rëndësishme është që edhe ai të ndihet mirë dhe të rikthehet në formë. Ky është synimi për këtë fundjavë”.