Shumë nga llojet e punëve të sotme nuk ekzistonin para 10 vjetësh. Dhe, pas një dekade, teknologjia ka shumë mundësi t’i ketë zëvendësuar disa nga këto punë. Por, me se do të merren njerëzit kur makineritë të bëhen pjesë të pothuajse çdo industrie? Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Elizabeth Lee njofton nga Los Anxhelesi.
Jennail Chavez nuk hezitoi kur vendosi të studionte për një profesion që shpesh shihet si i mbizotëruar nga meshkujt.
“Më duhet një profesion që t’i pështatet personalitetit tim, kështuqë pse jo në fushën e ndërtimit. Që e vogël më më pëlqente të rregulloja gjëra”, thotë studentja e zdrukthtarisë.
Por ajo shpejt e kuptoi se po mëson një profesion që do të zëvendësohet nga makineritë.
“Pashë një printer tredimensional që mund të ndërtojë shtëpi dhe mendova: “pëse të hyj në industrinë e ndërtimit të shtëpive?”
“Riaftësimi është pjesë thelbësore e ekonomisë së sotme”, thotë Laurence Frank, President i Kolegjit Teknik të Los Anxhelesit.
Ai thotë se megjithëse punonjësve u duhet që vazhdimisht të përvetësojnë aftësi të reja për t’u përshtatur me teknologji të avancuara, vendet e punës që duan zotësi mendore nuk do të zhduken.
“Pjesa e mirëmbajtjes në ndërtim, si hidraulikë, elektricistë, pra profesione ku duhet vazhdimisht aftësi për të zgjifhur probleme, për vendim-marrje, këto vende pune janë mjaft të sigurta”, thotë zoti Frank.
Disa aftësi të tjera gjithashtu do t’i ndihmojnë punëtorët të mbajnë vendet e punës në të ardhmen.
“Pra, a po i mësojmë studentët të jenë komunikues të mirë, të punojnë mirë në ekip, a po u mësojmë të analizojnë?”, thotë Jane Oats e organizatës “Working Nation”, që i mëson punëtorët amerikanë të përgatiten për punët e së ardhmes.
Ajo thotë se shumë shkolla të mesme dhe universitete në Shtetet e Bashkuara nuk po arrijnë të ndjekin ritmin e teknologjisë për të përgatitur studentët.
“Po u japin mësime të vjetëruara, sepse kështu u thonë profesorëve. Duhet të punësojnë pedagogë nga fusha e biznesit. Askush prej tyre nuk di si të punojë me programe kompjuterike. Jemi shumë mbrapa edhe me njohutitë për kodimin”, thotë zonja Oates.
Praktikat apo stazhi i punës me profesionistët e industrive, do të ndihmojnë.
“Në shekullin e 21-të, të mësuarit, fleksibiliteti dhe përpjekjet për t’u përshtatur me realitetin e ri, nuk do të mbarojnë kurrë “
Jennail Chavez thotë se pasi të diplomohet nga shkolla teknike, ka në plan të punojë për disa vjet dhe pastaj t’i rikthehet shkollës për të mësuar se si të punojë me energjinë elektrike dhe diellore./VOA