E ardhmja e Gianluigi Donnarummas duket gjithnjë e më larg Milanit. Agjenti i futbollistit Mino Raiola më shumë sesa për t’i rinovuar kontratën në skadencë në verën e këtij viti me kuqezinjtë po punon për t’i gjetur një sistemim të ri portierit 22-vjeçar. Mediat spanjolle dhe më konkretisht gazeta madrilène “AS” shkruan se Raiola sëfundmi ia ka ofruar Donnarummën drejtuesve të Barcelonës, të cilët në merkaton e kësaj vere janë të prirur të gjejnë lojtarë cilësorë që mund të transferohen në Camp Nou me parametër zero dhe pas dyshes Sergio Aguero-Eric Garcia, gardiani i Milanit mund të jetë i treti në këtë listë.
Në fakt Barça e ka portierin titullar dhe ai është gjermani Marc Andre Ter Stegen por nuk përjashtohet mundësia që ky i fundit të largohet pasi ka kërkesa nga Anglia për t’i bërë vend Donnarummës, aq më tepër që shitja e Ter Stegen do të sillte të ardhura në skuadër dhe gjermani do të zëvendësohej nga një portier i ri dhe akoma me më shumë perspektivë.
Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë gjatë ditëve në vijim por vështirë se 22-vjeçari do të qëndrojë te Milani pasi diferenca me kërkesës së Donnarummës për kontratën e re dhe ofertës së Maldinit dhe Massarës është e madhe. Raiola kërkon minimalisht 10 milionë euro në sezon për klientin e tij, ndërkohë që Milani nuk ofron më shumë se 7 milionë euro, kështu që e ardhmja e tij me shumë gjasa do të jetë larg Milanos ndërkohë që për Donnarumman nuk mungojnë as pretendentët nga Italia dhe Anglia.