Sport E bujshme, Ferguson rikthehet në stolin e Manchester United!

E bujshme, Ferguson rikthehet në stolin e Manchester United!

Mund të tingëllojë me diçka të pabesueshme por është e vërtetë. Manchester United ka konfirmuar se Sir Alex Ferguson do të kthehet në stolin e “Djajve të Kuq” për një ndeshje të veçantë, e cila do të luhet për të festuar 20-vjetorin e sezonit të “tripletës” së fundit.

Një përfaqësi e asaj skuadre legjendare të Manchester United do të luajë kundër legjendave të Bayern Munich në “Old Trafford”, më 26 maj, në një “përsëritje” të duelit të tyre të famshëm (2-1) të Ligës së Kampionëve, që vulosi trofeun e tretë të madh sezonal për anglezët më 1998-1999. Fondet e mbledhura do të shkojnë për bamirësi nëpërmjet fondacionit të Manchester United. Ferguson u largua nga drejtimi i “Djajve të Kuq” në fund të sezonit 2012-2013, duke fituar Premier League.

Prej atij momenti, klubi nuk ka arritur të gjejë një trajner me “valencat” e skocezit, që të ketë suksese dhe vazhdimësi. Megjithatë, në teori, Manchester United mbetet skuadra e vetme angleze për të fituar “tripletën” këtë sezon: Premier League, “FA Cup” dhe Champions, si në kohën e skocezit të mirënjohur. Manchester United i “tripletës” së para 20 viteve humbi vetëm tri ndeshje në Premier League (1998-1999), në transfertë me Arsenal dhe Sheffield, si dhe në shtëpi me Middlesborough. Fitorja e Ligës së Kampioneve mbetet ndoshta më e famshmja në një finale të këtij kompeticioni. Rezultati ishte 1-0 për bavarezët pas 90 minutash lojë, ndërsa kishin mbetur edhe tri minuta shtesë. Sheringham dhe trajneri aktual, Ole Gunnar Solskjaer, shënuan në minutën e parë dhe të tretë të kohës shtesë, duke mundësuar përmbysjen e madhe historike në Champions.