Aktualitet E burgosura rrëfehet para Ramës: Pse u mora me drogë dhe turpi...

E burgosura rrëfehet para Ramës: Pse u mora me drogë dhe turpi që po u lë fëmijëve

Kryeministri Edi Rama ishte sot në burgun e grave në Tiranë, për t’uu kumtuar atyre amnistinë e re, e ku aty, u ballafaqua me rrëfimin e sinqertë të një të burgosure, nënë e tre fëmijëve, e cila kishte përfunduar pas hekurave pas marrjes me trafik droge.

“Jam Ermira, jam arrestuar për trafikim të lëndëve narkotike. Më vjen shumë turp për tre fëmijët sepse i lashë vetëm në një kohë të vështirë. Gjendja ekonomike më detyroi ta bëja këtë sepse isha e ndarë. Kur më pyet djali i vogël mama kur do vish, dhe nuk kam një përgjigje. Të jesh këtu brenda është shumë e vështirë. Gjithçka mund të kalohet në jetë, por kufizimi i lirisë duhet ta provosh që ta kuptosh. Mbas kësaj asgjë nuk do më trembë për t’i bërë ballë jetës që mos t’i vijë zor për nënën e tyre”, tha ajo e përlotur.

E nga ana tjetër, shefi i qeverisë tha se kur një grua bënte një krim, kishte mbi 1mijë arsye.

“Unë kam bërë shumë debat me gjithë ekipin e amnistisë sepse do kisha dashur më shumë ulje, jo për të justifikuar krimet por për arsye se unë besoj se kur një grua arrin në atë ekstrem, përtej faktit që kryen një krim, ka me siguri 1001 arsye, plagë në mendje dhe shumë kujtime të hidhura që e çojnë në atë pikë”, tha Rama, duke shtuar gjithashtu se edhe drejtësia është treguar e padrejtë me gratë në dhënie dënimesh.

“Është fatkeqësi e madhe kur sheh gjithë historinë e sistemi tonë gjyqësore, sheh se në kapitullin e gjyqeve, raporti i vendimeve që shkojnë në favor të burrave me gratë, është skandaloz. Kam parasysh gjyqe që të rrëqethin mishin. Me Reformën në Drejtësi unë kam shumë besim se gjërat do të ndryshojnë”, tha Rama.

Kreu i tha amnistia e re do të miratohet në parlament menjëherë pas Vitit të Ri, duke sjellë lirimin e menjëhershme të 28 grave dhe lehtësi dënimi për pjesën tjetër.