Bota E dënuar për 30 vite për vrasjen e 4 foshnjave të saj,...

E dënuar për 30 vite për vrasjen e 4 foshnjave të saj, shkenca mund ta lirojë nga burgu

Kathleen Folbigg ka kaluar 18 vitet e fundit në burg për një nga krimet më të tmerrshme të imagjinueshme, vrasjen e katër foshnjave të saj.

Megjithatë, provat e reja shkencore sugjerojnë se nuk ka ndodhur kështu. Testimi gjenomik tregon se të paktën dy nga bebet e saj ka të ngjarë të kenë vdekur nga një mutacion gjenetik i pazbuluar më parë, që çoi në komplikime të zemrës. Kjo do të thotë se ajo mund të jetë burgosur padrejtësisht për gati dy dekada.

Gjetja ka nxitur 90 shkencëtarë, përfshirë dy nobelistë australianë të kërkojnë që Folbigg të lihet e lirë. Nëse kjo do të ndodhë, çështja e saj do të jetë një nga ngatërresat më të këqija të drejtësisë, në historinë australiane.

Ndërsa shkencëtarët janë ende duke mësuar në lidhje me shkaqet e sindromës së papritur të vdekjes së foshnjave (SIDS), termi që përdoret kur fëmijët vdesin papritmas për shkaqe të pashpjegueshme, zbulimet në rastin e Folbigg mund të ndihmojnë prindërit e tjerë që po vuajnë për humbjen e papritur e të pashpjegueshme të fëmijëve të tyre.

Folbigg kaloi një jetë tragjike. Kur ishte vetëm 18 muajshe, babai i saj theri me thikë nënën dhe u dënua me 15 vite burg për vrasje, përpara se të dëbohej në Angli. Mjekët sugjeruan më vonë se mund të ishte abuzuar nga i ati, kur ishte foshnje.

Megjithatë, në fund të viteve 1980, ajo u martua me Craig Folbig. Kur Kathleen ishte 21 vjeç, ajo lindi fëmijën e parë, një djalë me emrin Caleb.

Në hetim thuhet se ajo e përshkroi veten si dikush që ndihet i kompletuar, me një bashkëshort, një shtëpi dhe një fëmijë. Por pastaj, kur ishte vetëm 19-ditësh, Caleb u nda nga jeta. Shkaku i vdekjes u dha si SIDS dhe nuk kishte prova për asnjë shkak tjetër.

Folbigg shumë shpejt mbeti shtatzënë dhe në 1990 ajo pati një djalë tjetër, Patrick, i cili ishte i shëndetshëm. Por pas katër muajsh, ai kaloi një krizë të pashpjegueshme, që e la atë me dëmtim të trurit dhe kriza. Katër muaj më vonë, ai vdiq.

Edhe fëmija i saj i tretë, Sarah, vdiq në moshën 10-muajshe, dhe shkaku i saj i vdekjes u rendit si SIDS. Ndërsa, kur vajza e saj e katërt, Laura, vdiq në moshën 18-muajshe, më 1 mars 1999, policia filloi hetimet.

Çifti u nda dhe pasi Folbigg u largua, bashkëshorti gjeti ditarin e saj ku dhe lexoi një shënim, të cilin e çoi në polici, më 19 maj 1999.

“Ndihem si nëna më e keqe në botë, e frikësuar se Laura do të më lërë tani, siç bëri Sara. E di që isha me nerva dhe ndonjëherë mizore ndaj saj dhe ajo u largua, me pak ndihmë. Nuk mund të ndodhë më. Kam turp nga vetja. Nuk mund t’i tregoj bashkëshortit në lidhje me këtë, sepse ai do ndihet i shqetësuar.”

Prokuroria tha se këto shënime përmbanin pranime të fajit. Kështu në gjyqin e vitit 2003, prokuroria argumentoi që Folbigg kishte mbytur fëmijët e saj. Folbigg nuk rrëfeu asgjë, nuk kishte asnjë motiv të dukshëm dhe askush nuk pretendoi se e kishte parë atë duke vrarë fëmijët e saj. Por juria gjithsesi e shpalli fajtore për vrasjen e tre fëmijëve dhe vrasjen padashje të një prej tyre.

Megjithatë, prokuroria u mbështet te deklaratat e një pediatri britanik, Roy Meadow: “Një vdekje e papritur e një foshnjeje është tragjedi, dy vdekje të tilla janë të dyshimta dhe tre, janë vrasje, derisa të vërtetohet e kundërta.”

Folbigg u dënua përfundimisht në apel me 30 vjet burg me një periudhë jolirimi me kusht, prej 25 vjetësh. Deri në kohën kur ajo do të plotësojë të drejtën për lirim me kusht, Folbigg do të jetë 60 vjeç.

Por çfarë ndodhi?

Termi SIDS u prezantua në 1969, por gjatë dy dekadave të fundit, ka pasur një numër gjithnjë e më në rritje studimesh. Studimet tani tregojnë se deri në 35% e rasteve SIDS mund të shpjegohen nga faktorë gjenetikë, megjithëse shkaku i shumicës së rasteve mbetet i paqartë.

Avokatët e Folbigg iu drejtuan një profesionisteje që të rendiste gjenomet e fëmijëve për të parë nëse kishte ndonjë mutacion gjenetik që mund të kishte shkaktuar SIDS.

Kur renditën gjenomet e të katër fëmijëve, ata gjetën që të dyja vajzat kishin të njëjtin mutacion CALM2 si nëna e tyre. CALM 2, kontrollon se si kalciumi transportohet brenda dhe jashtë qelizave të zemrës. Ky variant ndodhej dhe te Folbigg.

Ekspertët dolën në përfundimin se varianti ndryshoi ritmin e zemrës së vajzave, duke i bërë ato të ndjeshme, veçanërisht duke pasur parasysh ilaçet që iu dhanë. Sarah ishte me antibiotikë për një kollë, ndërsa Laura po trajtohej me paracetamol dhe pseudoefedrinë për një infeksion të frymëmarrjes, pak para se të vdiste.

Pasi hetimi ishte mbyllur, më shumë prova dolën në dritë, duke bërë që mjekët dhe ekipi t’i shkruanin gjyqtarit duke i thënë se kishte të ngjarë që vajzat të kishin vdekur si rezultat i variantit CALM2. Pavarësisht të dhënave të reja, gjykatësi vendosi të mos rihapë hetimin.

Ndërsa tek të dy djemtë, shkencëtarët gjetën variacione të tjera në gjenet e tyre BSN, të njohura edhe si Bassoon, ku një variant ishte trashëguar nga nëna e tyre, dhe tjetri me gjasë nga babai i tyre. Shkencëtarët ende po hetojnë nëse ky variant mund të ketë shkaktuar vdekjen e dy djemve. As ky hulumtim nuk e ka liruar ende Folbigg, por tashmë avokatët e saj kanë filluar një çështje të re.