Qeveria ka marrë vendimin që e diela e parë e çdo muaji do të jetë dita pa makina në qytetet kryesore të vendit.
Nisma do të fillojë nga data 3 Prill dhe e diela e parë e çdo muaji do të jetë si fillim ditë pa makina në qytetet kryesore të çdo qarku.
Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri Edi Rama shkroi në rrjetet sociale: “Nga data 3 prill, e diela e parë e çdo muaji do të jetë si fillim DITË PA MAKINA në qytetet kryesore të çdo qarku. Nëse s’e fikim dot automjetin gjatë gjithë kohës, të paktën ta bëjmë ditëve të pushimit dhe të përdorim biçikletën a ecjen në këmbë. Fillojmë menjëherë në koordinim me bashkitë këtë plan kombëtar për kursim, për mjedisin dhe për shëndetin e të gjithëve”.
Detajet e vendimit i shpjegoi ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro.
“Kemi vendosur që ditën pa makina me nisjen e muajit Prill ta shtrijmë në qytetet kryesore të 12 qarqeve të vendit. Ky moment ndryshimesh të mëdha është edhe një thirrje për veprim, për kursim dhe për një mjedis më të pastër. Krizën energjetike si një kronikë të paralajmëruar tashmë jo shumë kohë më parë, fatkeqësisht po e ndjejmë pa dallim në qytet dhe në fshat. Ngjarjet e fundit kanë vënë në vështirësi të gjitha ekonomitë globale, edhe padyshim të gjitha xhepat e familjeve që sigurisht pasojat po i ndjejmë edhe në vendin tonë. Nëse s’mund të shmangim ndezjen e makinës çdo ditë, të paktën ta fillojmë këtë nga ditët e pushimit. Prandaj e nisim planin e ditës pa makina nga e diela e parë e çdo muaji duke filluar prej datës 3 Prill”, tha ministrja Kumbaro.
Ministrja solli në vëmendje edhe angazhimet e Shqipërisë në Konferencën e Klimës në Glasgou në muajin nëntor për uljen e ndjeshme të emetimeve deri në vitin 2030 dhe për të arritur nivelin neto zero të emetimeve në vitin 2050. “Janë angazhime konkrete që përmirësojnë jetën tonë këtu, për t’u lënë fëmijëve një qytet më të pastër, një mjedis prej të cilit mos të na vijë turp që nuk arritëm t’ua lëmë trashëgim më të mirë nga ç’e gjetëm ne”, tha Mirela Kumbaro.
Udhëzimi i Ministrisë së Mjedisit u është shpërndarë kryetarëve të Bashkive dhe prefektëve të qyteteve në 12 qarqe.