E djathta ekstreme, pritet të jetë fituesja e zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën të dielën në Austri.
Rezultatet paraprake tregojnë se Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë FPO ka epërsi ndaj konservatorëve në pushtet po shkon drejt fitores së parë në zgjedhje parlamentare.
Parashikimet e televizionit publik ORF, bazuar në numërimin e 82.8 për qind të votave, tregojnë se Partia e Lirisë ka siguruar 28.9% të votave, ndërsa Partia Popullore Austriake e kancelarit Karl Nehammer 26.3%.
Herbert Kickl, një ish-ministër i brendshëm që ka udhëhequr Partinë e Lirisë që nga viti 2021, synon të bëhet kancelari i ri i Austrisë, nëse parashikimet konfirmohen, gjë që do ta bënte partinë e tij të parën forcë politike të ekstremit të djathtë që fiton në zgjedhjet kombëtare në Austrinë e pas Luftës së Dytë Botërore.
Por për t’u bërë udhëheqësi i ri i Austrisë, atij do t’i duhet një partner koalicioni dhe kryetarët a partive të tjera e hodhën poshtë mundësinë që të bashkëpunojnë me të.
Një fitore e Partisë së Lirisë do të shkaktonte mosmarrëveshje brenda Bashkimit Evropian për luftën në Ukrainë.
FPO kishte kryesuar sondazhet për muaj të tërë, por epërsia e saj ndaj Partisë Popullore Austriake konservatore të kancelarit Karl Nehammer, pothuajse ishte zhdukur në një fushatë ku kanë mbizotëruar shqetësimet e votuesve mbi ekonominë dhe emigracionin.
Një fitore e FPO-së do ta bënte Austrinë vendin më të fundit të BE-së që shënon mbështetje në rritje të së djathtës ekstreme, pas forcimit të kësaj prirjeje në vende si Holanda, Franca dhe Gjermania./ VOA